Lajme

Nëse shtyhen zgjedhjet në Veri, nuk do të ishte hera e parë


Ilustrim

Tensionimi i situatës në Veri ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat të banuara me shumice serbe në Kosovë.

Skepticizmi qëndron në atë se në këtë situatë jo-stabile nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve, prandaj edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, në mënyrë të tërthortë ka kërkuar shtyrjen e zhvillimit të këtij procesi në këtë fazë.

Për avokatin dhe njëherit njohësin e çështjeve kushtetuese, Arbër Jashari, akti më i lartë juridik i Kosovës e as Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ai për Zgjedhjet Lokale, nuk ka paraparë ndonjë dispozitë të veçantë për shtyrjen apo pezullimin e zgjedhjeve.

Megjithatë Jashari tregon, për Albanian Post, se për një situatë të tillë ka një precedent – shtyrja e zgjedhjeve lokale në Komunën e Podujevës në mars të vitit 2020.

“Zgjedhjet në Komunën e Podujevës, ishin shtyrë me dekret të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Në atë kohë shtyrja e zgjedhjeve ishte arsyetuar me situatën pandemike në vend”.

Zgjedhjet edhe mund të mbahen, argumenton më tej Jashari, por përderisa ato nuk organizohen duke u respektuar standardet më të larta demokratike, legjitimiteti i tyre do të jetë i kontestuar.

Mazllum Baraliu dhe Arbër Jashari

Ndryshe nga Jashari profesori universitar i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë në një bisedë për Albanian Post se zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave veriore të shpallura nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk duhet të anulohen assesi dhe se një shtyrje tash do të cilësohej si një fitore për bandat kriminale në atë pjesë të vendit.

“Zgjedhjet duhet të mbahen sepse shkruan në Kushtetutë dhe në Ligjin për Zgjedhjet Lokale neni 4 që zgjedhjet të jashtëzakonshme duhet të mbahen në ato komuna sepse kanë heqë dorë kryetarët e tyre”, ka thënë Baraliu për Albanian Post.

Policia e Kosovës në këtë rast, shpjegon më tej ai, duhet të sigurojë proces normal të zgjedhjeve duke plotësuar kështu standardet minimale për mbajtjen e zgjedhjeve.

Mundësia e anulimit ose shtyrjes së zgjedhjeve, tregon Baraliu, ndodh vetëm atëherë kur procesi i zgjedhjeve nuk përkon me frymën e një standardi evropian ose me frymën e Kushtetutës dhe Ligjit.

“Në qoftë se serbët bojkotojnë zgjedhjet atëherë ato mund të përsëritën. Presidentja konsultohet me subjektet politike dhe kështu shpallet një afat i ri për mbajtjen e zgjedhjeve gjithmonë sipas Ligjit”, ka shtuar ai.

Presidenca deri më tani nuk ka pranuar një kërkesë për shtyrjen ose anulimin e këtyre zgjedhjeve.

Kështu të paktën kishte thënë për Albanian Post, Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani.

“Vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike”, ka thënë ai për Albanian Post.

“Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja”.

A do shtyhen zgjedhjet? – Flasin nga Presidenca për Albanian Post

Zgjedhjet për katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan janë caktuar për 18 dhe 25 dhjetor. Me 18 dhjetor ato për kryetarë komunash, ndërsa me 25 për Kuvendet Komunale.

Kjo situatë u krijua, pasi serbët e Kosovës, nën urdhrat e Listës Serbe, u tërhoqën nga institucionet në të gjitha nivelet, meqë kërkonin nga qeveria suspendimin e vendimit për masat për vozitësit me targa ilegale serbe.

Përfundimisht, vendimi u shty me ndërhyrjen e Brukselit, por serbët nuk u kthyen në institucione.

Qeveria dhe presidenca nxituan me shpallje të zgjedhjeve, por siç u pa të martën e 6 dhjetorit, kapaciteti për të funksionuar në atë pjesë del të jetë jo i mjaftueshëm.

Të martën, policia bashkë me zyrtarët komunalë zgjedhor u desh të zmbrapsej nga Veriu, pasi serbët nuk lejuan vendosjen e këtyre zyrtarëve në zyrat e KQZ në këtë pjesë të vendit.

Si rrjedhojë pati edhe të shtëna armësh e shpërthime, por akoma askush nuk është arrestuar dhe zyrtarët komunalë nuk kanë arritur të shkojnë në veri.

Nga KQZ i kanë thënë Albanian Post-it se ata po punojnë online dhe një pjesë e tyre në zyrat e kolegëve të tyre në Mitrovicën Jugore.

Në anën tjetër, përkundër kërkesave ndërkombëtarët për shtyrje zgjedhjesh, qeveria ka lëshuar një komunikatë për media ku deklarohet se “mbajtja e zgjedhjeve është obligim kushtetues”.

SHBA-të të shqetësuara: S’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore