Lajme

Nëse Kushtetuesja e ndryshon precedentin pas pyetjeve të Osmanit shihet se “po luan bisht”


Objekti i Gjykatës Kushtetuese

Ekspertët dhe hulumtuesit e çështjeve kushtetuese po vlerësojnë se pyetjet që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka bërë Gjykatës Kushtetuese rreth paqartësisë që ajo ka në emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor, nuk do të marrin përgjigje.

Osmani i është drejtuar Gjykatës në lidhje me paqartësinë e nenit 139 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nen i cili saktëson se si ndahen ulëset ndërmjet forcave politike në KQZ.

Presidentja konsideron se “ekziston një paqartësi e dispozitave kushtetuese”, meqë nuk përcaktohet saktë se si ndahen vendet proporcionalisht me madhësinë e grupit parlamentar.

Kjo paraqitësi ka bërë që pretendime për një anëtar më shumë brenda komisionit të kenë edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe Partia Demokratike e Kosovës – VV e do të tretin (Gresa Bytyqi-Kelmendi), PDK të dytin (Ilir Gashi).

Pikërisht për këta dy emra Osmani kërkon ndihmë në Kushtetuese.

Për rastin e ngritur, Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për Albanian Post thotë se e “ka pranuar një kërkesë të tillë, dhe është proceduar”.

“Gjykata aktualisht është në pritje të komenteve eventuale, nga palët e tjera të interesit, me qëllim të kompletimit të dosjes së lëndës”.

Një kërkesë të tillë për interpretim në lidhje me emërimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e kishte bërë edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, dhe po të njëjtit me Aktvendim të datës 03.12.2018 Gjykata ia kishte cilësuar pyetjen si të papranueshme.

Ndërsa, për kërkesën e tanishme të ngritur nga presidentja Osmani, ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori Universitar, Enver Hasani, në një përgjigje për Albanian Post thotë se “besoj që 99% rastin e shpallë të palejueshëm për shqyrtim, sikurse ndaj rastit Thaçi”

Hasani shpjegon edhe  format e vendimeve që publikon Kushtetuesja.

“Nëse Gjykata e ndërron precedentin, atëherë vendos me Aktgjykim, dhe vërehet se Gjykata po ‘luan bisht’, por nëse vendimi është Aktvendim, Aktvendimi është gjithmonë refuzues”, thotë ish-kryetari i kësaj Gjykatë për AP.

Kurse hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, kritikon presidenten Osmani për mos kompletimin e KQZ-së, dhe referimin e çështjes në Kushtetuese.

Cakolli përmend dy arsye kryesore, se pse kjo çështje nuk do duhej të referohej në Kushtetuese.

“Së pari, Kosova, sipas kuadrit kushtetues dhe atij ligjor, aplikon modelin strikt të përfaqësimit në KQZ, me gjashtë grupe parlamentare që mund të propozojnë nga një anëtar, pa marrë fare parasysh fuqinë politike dhe numrin e deputetëve të atyre grupeve parlamentare, dhe në rastet kur numri i grupeve parlamentare me të drejtë të propozimit është më i vogël, duhet që të ndiqet modeli i njëjtë”.

Ndërsa si arsye të dytë Cakolli përmend edhe se “Gjykata Kushtetuese përmes praktikës dhe jurisprudencës së saj, ka përcaktuar që institucionet duhet të nxjerrin vetë vendime në respektim të frymës kushtetuese, e të mos e shohin Gjykatën si trup këshillëdhënëse”.

Në lidhje me këtë çështje janë deklaruar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

Betim Gjoshi, i cili mbanë pozitën e sekretarit për çështje elektorale, në prononcim për Albanian Post tha “Kurti-Osmani po tentojnë t’ia vjedhin mandatin e PDK-së, në KQZ”.

Për Gjoshin brengosëse janë edhe deklarimet e “anëtarit të LVV-së, Alim Rama, në mbledhjen e KQZ-së, i cili përmendi se ish-kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, do të bëhet anëtare e KQZ-së”.

“Për neve si PDK janë tejet shqetësuese veprimet e presidentes për këtë rast, kjo nuk është në frymën kushtetuese, dhe veprimet e tilla e dëmtojnë demokracinë dhe pluralizmin në Kosovë”, tha Gjoshi për Albanian Post.

I kontaktuar nga Albanian Post, kryetari i subjektit politik “Koalicioni Vakat”, Rasim Demiri, për veprimin e presidentes tha se “presidentja e ka pyetur Kushtetuesen se a janë më shumë 5400 vota apo 2800 vota, kjo pyetje është shumë banale që e ka bërë presidentja”.

Edhe Demiri, sikurse prononcuesit e tjerë parasheh që Gjykata do do të refuzojë të përgjigjet.

Demiri konfirmoi se për këtë çështje janë ankuar edhe te Avokati i Popullit.

Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror Zgjedhor për rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit, figuron se, subjekti politik Koalicioni Vakat ka 5366 vota, Nova Demokratska Stranka NDS ka 2885 vota, dhe Social Demokratska Unija SDU ka 2549 vota.

13 maj ishte afati i fundit që partitë politike të dërgonin emrat e tyre në presidencë, ku më pastaj presidentja Osmani do të bënte dekretimin.

Nga LVV ishin dërguar tre kandidatë, Sami Kurteshi, Alim Rama dhe Gresa Bytyqi-Kelmendi, nga PDK, Arianit Elshani dhe Ilir Gashi, nga LDK, Florian Dushi, nga AAK, Ibrahim Selmonaj,   Gordana Laban Zuvić LS,  Rifat Krasniç KDTP, Qemail Kurtishi nga Koalicioni Vakat, dhe Fazli Stollaj IRDK.

Me datë 19 maj para presidentes Osmani dhanë betimin, vetëm tetë prej tyre, duke mbetur jashtë, Ilir Gashi, Gresa Bytyqi-Kelmendi dhe Qemail Kurtishi, për arsye se presidentja ka paqartësi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pyetjet e Osmanit ka gjasë që të bëhet i ditur qysh këtë të premte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore