Sport

“Nëse do e mbysja, do pensionohesha”, KO-ja e frikshme në MMA (VIDEO)


“Nëse Torbjorn Madsen do të vdiste, atëherë unë do të dilja në pension”, ishin fjalët e Mzwandile Hlongwa, pasi nokautoi Madsen-in në ndeshjen e arteve marciale të përziera (MMA), të zhvilluar në nëntor të vitit 2018.

Pavarësisht se u zhvillua gati tre vjet më parë, kjo ndeshje u rikthye edhe njëherë në vëmendje, pas videos e cila po qarkullon nëpër rrjetet sociale, ku Madsen bie pa ndjenja në tokë.

Për këtë gjë Hlongwa tha se u ndje keq që festoi pas fitores së tij.

“Ishte e pabesueshme, sepse Torbjorn është një luftëtar i madh, kështu që të fitosh ndaj tij, është e mrekullueshme. Por kur ai u rrëzua, u ndjeva shumë keq pas festimit tim, “thotë Hlongwa.

“Torbjorn më dërgoi një mesazh të nesërmen dhe filluam të bisedonim. Po lutesha për të, sepse të vrasësh dikë, nuk është gjë e mirë, andaj nëse ai do vdiste, unë do tërhiqesha plotësisht nga MMA”, shtoi më tutje luftëtari afrikan.

Pas kësaj ngjarjeje, ka reaguar edhe Madsen, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se është mirë duke i qetësuar fansat e vet.

“Faleminderit të gjithëve që pyesni për shëndetin tim. Jam i zhgënjyer shumë, por fizikisht jam shumë mirë”, shkroi Madsen në Instagram.

Tutje ai komentoi ndeshjen duke thënë se kjo ndeshje ishte gjithçka fer dhe nuk mund të justifikohej për këtë humbje.

Mzwandile Hlongwa i cili realizoi nokautin ndaj Torbjorn Madsen

“Bëra një gabim për të cilin pagova shtrenjtë. Refuzoj të gjej justifikime për këtë humbje, sidoqoftë edhe kjo do të përbëjë një rritje në karrierën time në MMA” shtoi Madsen.

Pavarësisht nokautit që e la pa ndjenja në tokë, ai ka fjalë të mira për kundërshtarin e tij.

“Këto gjëra ndodhin. Unë nuk besoj në ‘grushtet me fat’. Kundërshtari im ishte i fortë. Urime për Mzwandile Hlongwa. “KO” ishte spektakolare, do të isha njësoj i lumtur si ju nëse do të isha në anën tjetër të tij. Asgjë përveç respektit” shkroi mes tjerash Torbjorn Madsen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore