Lajme

“Nëse arrihet marrëveshja Kosova fiton njohjen e 5 shteteve mos-njohëse” – Ambsadori gjerman përsëritë atë që thuhet në “kornizën e re” për dialogun


Foto nga Albanian Post, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

“Në rast se arrihet një marrëveshje në kuadër të dialogut, atëherë këto 5 shtete mos njohëse të Bashkimit Evropian kanë deklaruar se do të ndryshojnë qëndrim në raport më pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë dhënë për televizionin “Tëvë1”.

dokumentin e publikuar nga Albanian Post për “kornizën e re” të dialogut, në pjesën ku shpjegohen benefitet e Kosovës dhe Serbisë nëse pranojnë marrëveshjen e propozuar frencezo-gjermane, thuhet saktësisht e njëjta gjë.

Sa i përket Kosovës, ajo “merr njohjen e pesë shteteve të BE-së, duke zhbllokuar perspektivën për anëtarësim në NATO dhe BE”, saktëson dokumenti.

Përveç kësaj, edhe një pjesë e konsiderueshme e intervistës së Rohde në këtë televizion përafron pothuajse plotësisht me përshkrimet që ofron dokumenti.

Sipas kornizës së re të publikuar nga AP, Serbia duhet formalisht ta njohë Kosovën vitin e ardhshëm, derisa pas 10 vjetësh njohjen ta bëjë edhe zyrtare, meqë ky hap konsiderohet parakusht për anëtarësimin e dy vendeve në Bashkimin Evropian.

Edhe Rohde pohon të njëjtën gjë.

“Rezultati final në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke”, thotë ai, duke shtuar se “kjo duhet të bëhet për shkak se dy shtetet nuk mund të pranohen në Bashkimin Evropian pa e njohur njëra-tjetrën”.

“Këtu dua ta citoj Kancelarin tim, i cili thotë se rezultati final mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke, sepse është e paimagjinueshme që mund të pranohen në BE shtete që nuk e kanë njohur njëra-tjetrën”.

Megjithatë, kur pyetet gjatë intervistës direkt për publikimin e Albanian Post, Rohde thotë se ai personalisht “nuk di për një format të ri të dialogut”.

“Këshilltarët e Macron dhe Scholz ishin në Prishtinë dhe në Beograd, në shoqërim të Përfaqësuesit Special Lajcak për të dhënë mesazhe të qarta që palët të jenë të gatshme për vendime të vështira dhe t’i afrohen marrëveshjes finale. Ky është mesazhi i tyre”, deklaroi diplomati gjerman.

Për dokumentin e publikuar nga AP, ditë më parë foli edhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Sarrazin, me tone kritike, gjatë adresimit të tij përmes video linkut në edicionin e parë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë (KPDS) që po mbahet në Kosovë, i ka sugjeruar shoqërisë civile që të mos i mbysin propozimet e reja sapo të rrjedhin në publik ato.

“Sa i përket shoqërisë civile, kam një përshtypje se nganjëherë në rajonin tuaj ka një propozim shumë të mirë, që secili do ta pëlqente, që do sillte zhvillim, dashuri e paqe për të gjithë, por mbytet sapo të ketë një rrjedhje që tregon se ky është propozimi i ri dhe më pas, natyrisht prapë fillojnë komentet (scoops)”, pati deklaruar Sarrazin.

“Prandaj mendoj se roli i shoqërisë civile është bukur krucial në njërën anë për ta përgatitur shoqërinë dhe politikanët që t’i adresojnë çështjet, që të flasin për ide dhe modele, të hapen për pyetje të vështira që do vijnë pashmangshëm në këtë rrugëtim”.

Gjermani po fliste për opinionin e krijuar nga një pjesë e komentatorëve politik në Kosovë dhe gazetarëve që provuan ta demantojnë publikimin e AP-së, duke kërkuar përgjigje zyrtare nga qeveritë evropiane për një dokument i cili nuk ishte zyrtar dhe publikohej në formë të një draft-propozimi për makro-perspektivën e dialogut Kosovë – Serbi.

Pjese nga dokumenti i publikuar nga Albanian Post

Çfarë publikoi AP?

Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka siguruar Albanian Post.

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“Korniza e re” të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it. Këtë kornizë, publikisht, e ka pranuar vetëm Presidenti serb Vuçiç pas vizitës së dy këshilltarëve në Beograd.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore