Vende

Nëpër Shqipëri me biçikletë: Mes detit, qyteteve historike dhe tokave të egra


1 mijë e 85 kilometra, katër vende të UNESCO-s, 15 ditë.

Këto janë shifrat e itinerarit të një xhiroje me biçikletë për të zbuluar një nga vendet me toka të egra dhe më pak të njohura të Evropës.

Bëhet fjalë për Shqipërinë.

Kështu shkruan e përditshmja italiane “Corriere della Sera” teksa tregon për turin mbresëlënës të çiklizmit të UNESCO-s në Shqipëri.

Një udhëtim ky, që përshkon rrugë mes tokave të egra ku luginat, vreshtat dhe fshatrat e lashta në shpatet e maleve ndjekin njëri-tjetrin.

Nuk mungojnë as manastiret e kështjellat me pamje nga deti dhe qytetet historike, ku koha duket sikur ndalon.

Është një “aventurë” që nis dhe bitis në të njëjtin vend, në Tiranë, kryeqytetin e zhurmshëm të Tokës së Shqiponjave.

Plot dy javë udhëtimi përgjatë brendësisë jugore të Shqipërisë deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut, përgjatë brigjeve të liqenit më të vjetër dhe më të thellë në kontinentin e vjetër dhe më pas në brigjet e lumit Vjosë, gati për t’u bërë park kombëtar.

Pastaj, sërishmi qytete me një histori mijëravjeçare të përfshira nga UNESCO në listën e vendeve të trashëgimisë botërore.

Me fjalë të tjera, një xhiro në vende arkeologjike të paçmueshme, plazhe të pacenuara, gjire sekrete dhe kështjella me pamje nga deti.

Një mundësi “unike” për t’u larguar këtë pranverë – ose në fillim dhe në fund të verës – në një nga territoret e fundit të paeksploruara dhe autentike në Evropë.

Një udhëtim i ngadaltë, pa ngutje, “mes fshatrave me shpirt të lashtë, manastire me pamje nga deti, fshatra të gurtë dhe mikpritje të kohëve të tjera”.

E gjitha veç me biçikletë.

Kryeqyteti është pikënisja, por edhe pikë mbërritjeje e parashikuar.

Nga qendra e Tiranës shkohet drejt Elbasanit, një itinerar që shkon krahas fshatit të gurtë të Petrelës me mbetjet e një kështjelle të lashtë dhe fshatit Ibë në lumin Erzen.

Në restorantet e atjeshme mund të shijohen menu me një larmi të madhe mezesh, përfshin edhe byrekët me spinaq dhe djathë.

Po ashtu mund të shijohet tava e kosit, një tavë me mish qengji, kos, vezë dhe miell, si dhe fërgesa, një pjatë me rikota, speca, mish viçi ose mëlçi.

Janë rreth 30 kilometra që ndajnë Elbasanin nga Belshi, qendra kryesore e banuar e rajonit të Dumresë, e njohur për prodhimin e shafranit.

Duhen vetëm pak minuta për të kuptuar pse kjo zonë e vendit është mbiquajtur Toskana e Shqipërisë.

Belshi është një xhevahir i natyrës, ku kodrat e valëzuara alternohen me luginat që duken sikur dalin nga një pikturë.

Megjithatë, zona njihet mbi të gjitha për praninë e mbi 80 liqeneve, të përmasave të ndryshme.

30 kilometra më në jug është Gramshi, një fshat i vogël i rrethuar nga natyra nga i cili ka origjinën familja atërore e politikanit italian Antonio Gramsci.

Rruga që lidh Gramshin me Pogradecin është e gjatë, por ofron disa nga panoramat më magjepsëse të të gjithë itinerarit.

Pamjet e Valamarës, një mal në Shqipërinë juglindore, ndër destinacionet e preferuara të alpinistëve dhe entuziastëve të ecjes malore.

Në Pogradec nuk duhet anashkaluar as një xhiro me biçikletë përgjatë liqenit për në fshatin Tushemisht, disa kilometra nga kufiri verior i Maqedonisë.

Vlen edhe ndalesa në Drilon, një fshat peshkatarësh dhe dikur destinacioni i preferuar i pushimeve verore të diktatorit Enver Hoxha, për të vizituar parkun kombëtar me ekosistemin e tij të pasur me burime, kodra dhe pyje.

As 40 kilometra nuk e ndajnë Pogradecin nga Korça, një nga qytetet më të bukura të vendit, i mbiquajtur Parisi i vogël i Shqipërisë për sharmin, kafenetë që të kujtojnë kryeqytetin francez dhe vilat aristokratike që karakterizojnë qendrën e tij historike.

Pazari i vjetër, i rinovuar disa vite më parë, ia vlen të vizitohet, së bashku me katedralen ortodokse, më e madhja në vend, Muzeun e Artit Mesjetar dhe fabrikën e birrës historike Korça, e prodhuar këtu për gati njëqind vjet.

Nga Korça në Leskovik, duke kaluar përmes qytetit të Ersekës, disa kilometra larg kufirit grek, një udhëtim magjepsës përshkon rrugën midis maleve, fshatrave të lashtë prej guri, manastireve ortodokse, vreshtave, liqeneve dhe shtëpive të fermave të rrethuara nga pyje.

I vjen radha Përmetit. Një qytet që ndodhet në brigjet e Vjosës, lumit të fundit të egër në Evropë, gati për t’u bërë një park kombëtar i mbrojtur.

Mes pyjeve, lumenjve, kanioneve, parkut kombëtar të Bredhit të Hotovës dhe llixhave natyrore të Bënjës, të njohura që në lashtësi për vetitë e çmuara shëruese të ujërave, këtu mbretëron natyra.

Përmeti njihet edhe si një nga destinacionet par excellence gastronomike të Shqipërisë.

Duke kaluar fshatin Kelcyrë, në veri të Përmetit, itinerari me biçikletë vazhdon sërish më në jug, drejt Gjirokastrës.

Trashëgimia e UNESCO-s, vendlindja e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, Gjirokastra është një xhevahir guri me një pazar shumëngjyrësh, shtëpi fisnike dhe një nga kështjellat më të bukura.

Duke lënë pas Gjirokastrën, xhiroja vazhdon drejt bregut të Jonit.

Itinerari përfshin një ndalesë në Parkun Arkeologjik të Butrintit, një mikrokozmos i historisë së Mesdheut me mbetje arkeologjike që variojnë nga epoka ilire deri në mesjetë.

Ksamili, i cili është mbiquajtur “Maldivet e Shqipërisë” për shkak të plazheve të tij kristal të pastra, është ideal për t’u çlodhur në plazh dhe për të notuar për në katër ishujt që mbulojnë ujërat e tij.

Saranda, e konsideruar si kryeqyteti i Rivierës Shqiptare, është një qytet i gjallë bregdetar i rrethuar nga disa nga plazhet më të bukura në Mesdhe.

Itinerari që të çon nga Saranda në qafën malore të Llogarasë është kërkues, por pamjet shpërblejnë çdo mundim.

Gjire të egër, plazhe kartolinash, mbetjet e kështjellave antike me pamje nga deti, manastiret dhe kanionet shfaqen para syve.

Nga Lukova në Borsh, plazhi më i gjatë i Rivierës, nga Qeparoja në kalanë e Ali Pashës në Porto Palermo, nga Himara në Dhërmi, një fshat magjepsës prej guri me kisha me kube blu, pamje magjepsëse dhe disa nga plazhet më të bukura në Evropën Jugore, çdo vend ia vlen.

Ndërkohë, Tepelena është e famshme për burimin më të mirë të ujit në Shqipëri, si dhe për Ali Pashën, ku midis viteve 1700 dhe 1800 kur këto toka ishin nën pushtetin e Perandorisë Osmane, mirëpritën njerëz të famshëm.

Rruga të çon pastaj në Berat, një xhevahir në listën e UNESCO-s, me kisha, xhami dhe shtëpi tradicionale.

Kalaja, një vendbanim i lashtë i banuar ende sot në labirintin e rrugëve të të cilës gjendet Muzeu Onufri, kushtuar ikonografisë shqiptare.

Duke u kthyer në bregdet, në Adriatik, nga Berati turi vazhdohet në drejtim të Divjakës dhe luginës së Karavastasë, një park natyror dhe një nga ligatinat më të rëndësishme të Mesdheut lindor.

40 kilometra e ndajnë këtë oaz të egër dhe të pandotur nga bregdeti i Durrësit, përgjatë të cilit gjenden disa nga plazhet ideale për familjet.

Dhe në fund, rikthimi po në Tiranë.

Rekomandohet se koha më e mirë për ta bërë këtë udhëtim është pranvera dhe fillimi – ose fundi i verës, kur temperaturat janë më të buta dhe turistët janë ende të paktë.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore