Biznes

Nëntori me çmimet e rritura të ushqimeve


Inflacioni i çmimeve të konsumit në muajin nëntor të vitit 2021, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraardhës, ka pësuar rritje.

Matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), për këtë periudhë, ndryshimi vjetor llogaritet me 3.3 për qind.

Ky indeks mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve që konsumatori synon për konsumin final.

Referuar raportit të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT), rritja më e madhe e çmimeve prej 5.6 për qind vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike”.

Ndryshimet vjetore dhe mujore të IHÇK

Rritja pasohet nga grupet “Transporti” me 5.0 për qind, “Argëtim dhe kulturë” me 3.2 për qind, “Komunikimi” me 3.1 për qind, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2.6 për qind.

Ndërkaq, rritja e çmimeve për grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” është me 2.5 për qind, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1.1 për qind dhe “Shëndeti” me 1.0 për qind.

Grupet “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0.8 për qind secili, ndërsa “Shërbimi arsimor” me 0.1 për qind.

Ndikimi i grupeve në ndryshimin vjetor

Nga ana tjetër,  çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë pësuar ulje me 0.8 për qind.

INSTAT dallon gjithashtu se në muajin nëntor të këtij viti, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0.1 për qind.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0.8 për qind, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.3 për qind, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.1 për qind secili.

Ndryshimet në përqindje matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit

Ndërkohë, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” janë rritur me 1.2 për qind, pasuar nga “Transporti me 0.8 për qind dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.7 për qind.

Kurse grupi “Hotele kafene dhe restorante” është rritur me 0.5 për qind, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0.2 për qind dhe “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me 0.1 për qind secili.

Ndryshimi vjetor i IHÇK sipas Shteteve, Nëntor2021

Po tetori?

Për muajin tetor, inflacioni i çmimeve të konsumit, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraardhës, ka pësuar po ashtu rritje.

Matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), për këtë periudhë, ndryshimi vjetor është llogaritur me 2.5 për qind.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 3.9 për qind është vërejtur në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Transporti”.

Kurse ndryshimi mujor ka rezultuar me 0.2 për qind. Pra, nga tetori në shtator të po të njëjtit vit, 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore