Shqipëria

Nëntë vende të NATO-s mbështesin – zyrtarisht – aderimin e Ukrainës në organizatë, Shqipëria mungon në listë


Janë nëntë vende të Evropës qendrore dhe lindore, ato të cilat e mbështesin aderimin e Ukrainës në NATO plotësisht dhe tashmë edhe zyrtarisht.

Në bazë të një deklarate të lëshuar nga zyra e Presidencës polake, nëntë krerë shtetesh nga vendet e Evropës qendrore dhe lindore e kanë firmosur aktin.

Në sy, bie fakti se Shqipëria, nuk ishte mes tyre!

Deklarata është firmosur nga presidentët e Republikës Çeke, Estonisë, Lituanisë, Letonisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë.

Ndër vendet, të cilat njihen si pjesë e rajonit qendror dhe lindor evropian, mungojnë qartësisht Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia dhe Hungaria.

Nuk është bërë e qartë se përse pesë vendet nuk e kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët, pasi të gjitha, në pjesën më të madhe të rasteve, kanë shprehur hapur qasjen pro aderimit të Kievit në NATO.

Në bazë të deklaratës së përbashkët nga presidentët, fillimisht dënohet ashpërsisht sulmi i Rusisë në Ukrainë si edhe aneksimi i fundit i katër rajoneve ukrainase, në mënyrë të jashtëligjshme, përmes referendumeve fiktive.

Sipas asaj çfarë shkruhet në dokument, Ukraina e ka shprehur dëshirën për të qenë pjesë e organizatës më të madhe ushtarake në botë që prej samitit të NATO-s në Bukuresht, në vitin 2008 dhe kjo gjë nuk duhet harruar.

Ndaj, të nënta vendet njëzëri, e mbështesin aderimin e saj në aleancë.

Pavarësisht se qëndrimi i Perëndimit ka qenë shumë i qartë karshi luftës në Ukrainë, duke u pozicionuar tërësisht në krah të Kievit, hapa konkretë të ndërhyrjes, përtej sanksioneve ndaj Kremlinit apo ndihmave për Ukrainën, nuk ka pasur.

Po ashtu, diskutimi nëse Kievi duhet të bëhet pjesë e aleancës është shmangur gjithnjë, parë edhe faktin se Moska prej kohësh ka bërë thirrje të forta që vendet fqinje me Rusinë, të mos jenë pjesë e NATO-s dhe të mos ketë baza ushtarake të NATO-s aty.

Kjo, sepse shihet si një kërcënim ndaj popullit rus dhe sovranitetit të tyre.

Ndërsa, çështja është krejtësisht e ndryshme sa i përket Finlandës dhe Suedisë, të cilat menjëherë pas agresionit rus në Ukrainë, kanë aplikuar për hyrje në aleancë dhe janë pranuar nga vendet anëtare.

Ratifikimi i plotë i të gjitha vendeve ende pritet të ndodhë, duke përmbyllur kështu formalisht edhe procesin e pranimit të dy vendeve nordike në organizatë.

E njëjta gjë ndërkohë, nuk mund të thuhet për Ukrainën, pavarësisht se këta të fundit kanë kërkuar t’i bashkohen grupimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore