Shqipëria

Nënshkruhet marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë për treg të përbashkët të energjisë


Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRrE) dhe Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë (ERE), kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për njohjen reciproke të licencave për veprimtarinë e tregtimit dhe furnizimit të energjisë elektrike.

Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tha se marrëveshja e sotme është në funksion të integrimit të tregut të energjisë elektrike në mes dy vendeve.

“Me qëllim të integrimit të dy tregjeve, sot ne nënshkruajmë memorandumin për njohjen e ndërsjellë të licencave. Një treg i përbashkët do t’i hap rrugë investimeve të reja në sektorin e energjisë”, tha Fejzullahu.

Ymer Fejzullahu

Ndërkaq, kryesuesi i Bordit të ERE, Petrit Ahmeti, është shprehur i bindur se kjo marrëveshje e nënshkruar sot do të gjejë menjëherë zbatim në te dyja vendet.

“Këto dokumente që janë hapat e parë të një bashkëpunimi është si një kurorëzim për të pasur një bashkëpunim të frytshëm në mes të dy vendeve. E kam besimin e plotë që do të funksionojë”, theksoi Ahmeti.

“Në tetor të këtij viti në Tiranë kemi nënshkruar marrëveshjen kornizë për bashkimin e dy tregjeve dhe sot ne nënshkruajmë memorandumin për njohjen e ndërsjellët të licencave”.

Petrit Ahmeti

Këtë marrëveshje e kanë quajtur tejet të rëndësishme edhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizavanolli dhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Ilir Bejtja.

Ndërsa Louay Samouie, udhëheqës i ekipit për energji në USAID potencoi se qëllimi është krijimi i një sektor të qëndrueshëm energjetik të dy vendeve dhe rajonit në përgjithësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore