Shqipëria

Nënshkruhet marrëveshja për njohjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Zvicrës


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri, Delina Ibrahimaj, të premten e 18 shkurtit, ka nënshkruar Marrëveshjen Kuadër në fushën e Mbrojtjes Shoqërore me ministrin për Çështjet e Brendshme, Shëndetësisë dhe Mbrojtjen Sociale të Zvicrës, Alain Berset.

E para që ka mbajtur fjalën e rastit ishte ministrja Ibrahimaj, e cila falënderoi qeverinë e Zvicrës për të gjithë ndihmën që i ka dhënë popullit shqiptar.

Me këtë marrëveshje, të gjithë shtetasit shqiptarë që punojnë rregullisht në Zvicër, do të përfitojnë pensionin me mbushjen e moshës, duke mos humbur asnjë ditë nga periudha kontributive.

Ibrahimaj ka njoftuar se janë mbi 2 mijë persona që do të përfitojnë nga njohja e ndërsjellët e Mbrojtjes Shoqërore.

Kurse ministri i Zvicrës, u shpreh i kënaqur që “po zgjerojmë marrëdhëniet tona përmes kësaj marrëveshje”. Ndërsa e ka cilësuar si “hap të rëndësishëm” që do të sjellë “të mira” për të dyja vendet.

Berset tregoi se ka zhvilluar dhe një takim me zëvendëskryeministrin “ku u zotuam, për të punuar brenda Këshillit të Sigurimit” rreth kësaj çështje.

Përgjatë vitit 2022 do të zhvillohen bisedime dypalëshe edhe mes qeverive shqiptare dhe italiane për finalizimin e marrëveshjes së sigurimeve shoqërore, pasi rezulton që drafti është gati.

Gjithashtu do të caktohen dhe fondet nga Qeveria Shqiptare, e cila rezulton të jetë e interesuar për zgjidhjen pozitive të problemit.

Diaspora 91-19 ANIAP njofton se do të bëhet dhe ratifikimi burokratik i marrëveshjes dhe dekretet zbatuese.

Po ashtu, do të ketë dhe përcaktim të procedurave dhe modifikimit të programeve kompjuterike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore