Lajme

Nënshkruhet “marrëveshja historike” për hidrogjenin mes Gjermanisë dhe Kanadasë


Gjermania dhe Kanadaja kanë nënshkruar së fundmi një marrëveshje bashkëpunimi për prodhim dhe transportim të hidrogjenit.

Në praninë e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrit kandaez, Justin Trudeau, marrëveshjen e kanë nënshkruar ministrat e Ekonomisë të të dyja shteteve në qytetin kanadez Stefenvill.

Këtë hap, Trudeau e ka konsideruar si “hap historik drejt të ardhmes së përbashkët”.

“Shënjestra jonë është e qartë: të punojmë drejt eksporteve fillestare të hidrogjenit kanadez në Gjermani deri më vitin 2025”, ka thënë ai.

Po ashtu me rëndësi është edhe krijimi i vendeve të punës, sipas tij.

Kurse Scholz ka thënë se marrëveshja e çon partneritetin mes dy shteteve në nivel tjetër.

Marrëveshja përbën “hap të rëndësishëm, jo vetëm për forcim të lidhjeve ekonomike, por edhe për energji të qëndrueshme në të ardhmen”, ka vijuar ai.

Sakaq, vend i favorshëm për prodhim të hidrogjenit konsiderohet Njufaundllend. Në këtë rajon ka shumë erëra dhe pak popullsi.

Sakaq, shfrytëzimi i hidrogjenit nuk prodhon gazra serrë.

Për ta prodhuar atë, uji duhet të ndahet në hidrogjen dhe oksigjen përmes elektrolizës.

Kostoja aktuale e prodhimit të hidrogjenit është më e lartë se sa blerja e gazit natyror, por ekspertët besojnë se hidrogjeni ka aftësi të zvogëlojë faturat e energjisë në të ardhmen.

Tanimë bota është ngrohur me 1.1 gradë Celsius prej nisjes së epokës industriale dhe temperaturat pritet të rriten, në rast se qeveritë në botë nuk marrin hapa për të ndalur emetimet e karbonit dhe gazrave tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore