Kulturë

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëfinancimit mes Ministrisë së Kulturës dhe TAP-it


Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe Trans Adriatic Pipeline (TAP) nënshkruan në Universitetin e Arteve, marrëveshjen e bashkëfinancimit për mbështetjen e projektit për  rikonstruksionin dhe rinovimin e sallës së koncerteve në Universitetin e Arteve në Tiranë (UAT).

Projekti ka një vlerë 3.7 milionë euro, prej të cilave TAP do të financojë 1,7 milion Euro, ndërsa pjesa tjetër, 2 milionë euro do të financohen nga Qeveria Shqiptare.

Rinovimi i sallës së koncerteve në UAT është një nga investimet më të mëdha sociale dhe mjedisore të TAP-it në Shqipëri, investim ky që i shtohet një liste të gjatë investimesh në arsim, infrastrukturë, kulturë dhe mjedis. Për më tepër, TAP-i ka financuar edhe studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit të detajuar inxhinierik për rinovimin e sallës së koncerteve, me një vlerë prej 150 mijë Euro.

Projekti bën së bashku një sërë partnerësh, si Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe TAP, në cilësinë bashkëfinancuesve të projektit, Agjencinë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim , Atelier4 dhe Universitetin e Firences.

Punimet restauruese janë planifikuar të zgjasin 14 muaj dhe pritet të përfundohen brenda prillit të vitit 2022.

Rektori i Universitetit të Arteve z. Kastriot Çaushi, u shpreh se ky ishte një moment që komuniteti i artit. Ai shprehu falenderime të veçanta për Ministren e Kulturës, Znj. Elva Margariti.

Ministrja falënderoi TAP-in si një partner të besueshëm.

“Restaurimi i sallës së koncerteve dukej si një ëndërr shumë e largët, ashtu si edhe rikonstruksioni i ambienteve të kësaj ndërtese historike, që reflektonte mjerimin e harresës, ndërsa sot është një nga shembujt më të mirë të ruajtjes së trashëgimisë dhe funksionalitetit”, ka vlerësuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore