Lajme

Nënkryetari i Prishtinës për AP: Të gjitha ekipet e shpëtimit në terren, katër lokacione janë më serioze


Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë për Albanian Post se të gjitha ekipet e shpëtimit të komunës së Prishtinës janë në terren pas reshjeve të mëdha të shiut dhe erërave të forta që kanë goditur kryeqytetin.

“I kemi katër lokacione që janë më serioze”, tha Zogaj.

Ai ka theksuar se “të gjitha ekipet e shpëtimit janë në terren të shoqëruar nga zjarrfikësit dhe janë të shpërndarë në katër lokacione.

“Nuk kemi informata ma shumë, tash jemi duke dalë në vend të ngjarjes”, shtoi ai.

Ndryshe, një burrë, 30-vjeçar, ka humbur jetën dhe një grua, 30-vjeçare po ashtu është lënduar, pasi janë zënë nga lisi që u rrëzua në lagjen “Pjeton” në Prishtinë, si pasojë e motit të ligë dhe erërave të forta.

Lajmin për AP e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informatat e para janë ngritur dyshimet se njëri nga të lënduarit mashkull, rreth 30 vjeç ka humbur jetën përderisa e lënduara tjetër femër po ashtu rreth 30 vjeç është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.

Rrëzime të tjera të pemëve të ndryshme nga erërat e forta është njoftuar se kanë ndodhur edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore