Lajme

Nehammer i shkruan Kurtit: Vazhdimi i dialogut shumë i rëndësishëm


Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, në letrën e dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pasi ky i fundit e përmes një letre kishte uruar atë për postin e kancelarit, mes tjerash ka potencuar se shteti i tij do ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve në organizatat ndërkombëtare.

Për Nehammer, vazhdimi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi është e një rëndësie të veçantë.

“Austria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në konsolidimin e pozitës së saj si anëtare e bashkësisë ndërkombëtare dhe në ndjekjen e rrugës së saj drejt anëtarësimit. Në këtë proces, vazhdimi i vendosur i dialogut për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ketë rëndësi të veçantë”, thuhet në letrën e Nehammerit.

Në letrën e tij, kancelari Karl Nehammer ka shprehur mbështetjen e shtetit austriak për Republikën e Kosovës dhe ka shtuar se për të si kancelar do të jetë çështje e rëndësishme që të thellojë më tej marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

“Forumi ekonomik Kosovë-Austri, të cilit i jeni referuar, do të jetë një mundësi e mirë për ta vënë në praktikë këtë angazhim edhe në fushën ekonomike“, është shprehur kancelari austriak.

Kancelari duke kujtuar një vizitë pune më 28 shtator të vitit të kaluar në Prishtinë, atëkohë si Ministër Federal i Punëve të Brendshme, thotë se ka pasur mundësi të shoh nga afër dhe të bindet për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet vendeve tona në fushën e sigurisë së brendshme dhe menaxhimit të migracionit. Kosova është partner i dëshmuar dhe i besueshëm në këtë aspekt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore