Sport

Nedim Bajrami mendon largimin nga Empoli


Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Nedim Bajrami, mund të largohet nga skuadra e tij, Empoli, gjatë afatit kalimtar të janarit.

Bajrami gjendet në një situatë jo komode, pasi që ka humbur vendit e titullarit në klubin e tij, andaj sipas mediave italiane, ai në janar mund të transferohet në ndonjë klub tjetër në Serie A, ku nuk mungon interesimi për futbollistin shqiptar.

22 vjeçari ishte një nga lojtarët kryesorë në ngjitjen e Empoli-t në Serie A, por javëve të fundit ai nuk është më futbollisti i pëlqyer nga trajneri Andreazzoli, i cili po e lë Bajramin në bankën rezervë.

Deri më tani, mesfushori kuqezi ka zhvilluar 10 ndeshje me skuadrën e Empoli-t në Serie A, prej të cilave gjashtë herë ishte startues, ku ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar po aq asistime.

Kurse një vit më parë, kur skuadra e Empolit ishte pjesë e Serie B, Bajrami ishte ndër futbollistët kryesorë, duke kontribuar me shtatë gola e 10 asistime.

Vlera e shqiptarit në treg shkon mbi 10 milionë euro, ndërsa pavarësisht faktit se ka humbur statusin e titullarit, sërish për të ka interes nga disa klube për të, të cilat e shohin të vlefshëm për organikën e tyre.

Kujtojmë se aktualisht Bajrami është i grumbulluar me Shqipërinë në kuadër të dy ndeshjeve  kualifikuese për Kupën e Botës, atë ndaj Anglisë më datë 12 nëntor dhe kundër Andorrës, tre ditë më vonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore