Lajme

Në vitin 2020, rritje e lehtë e sasisë së mbeturinave të riciklueshme


Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për sasinë e mbeturinave të deponuara, sasinë e mbeturinave të ricikluar dhe sasinë e mbeturinave të sterilizuara për vitin 2020.

Sipas këtyre të dhënave gjatë vitit 2020, janë trajtuar dhe deponuara 450 mijë e 229 tonë mbeturina, e që krahasuar me vitin 2019, ka një rritje të lehtë prej 0.03 për qind.

“Rezultatet nga AMT 2020, tregojnë se: sasia e mbeturinave të ricikluara ishte 3 882 ton/vit; sasia e mbeturinave të sterilizuara (mbeturina spitalore) ishte 968 ton/vit; dhe sasia gjithsej e mbeturinave të trajtuara dhe të deponuara për vitin 2020 ishte 450 229 ton/vit. Krahasuar me të dhënat e vitit 2019, ka një rritje të lehtë prej 0.03%”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Nga ASK kanë treguar edhe për llojet e mbeturinave dhe trajtimet e tyre.

“Sasia e mbeturinave të trajtuara, sipas llojit të mbeturinave dhe llojit të trajtimit, e shprehur në përqindje për vitin 2020 ishte si vijon: metalet (27%), mbeturinat nga plastika (47%), mbeturinat spitalore (20%), mbeturinat e letrës dhe kartonit (6%)”, thuhet në raport.

Ndërsa kanë bërë të ditur se sasia e mbeturinave të deponuara në deponitë sanitare regjionale në vitin 2020 ishte 445 mijë e 449 ton/vit.

Krahasuar me vitin 2019 ka një rënie të lehtë prej (-0.02%).

Tutje në raport thuhet se sasia e mbeturinave të deponuare më deponitë regjionale në vitin 2020, vërehet se sasia më e madhe e mbeturinave të deponuara ka qenë në deponinë sanitare në regjionin e Prishtinës, me 153 mijë e 481 ton ose 34%.

“Ferizaj me 26 mijë e 520, Gjilani me 41 mijë e 170 ton, Mitrovica me 48, 768 ton, Peja 53 mijë e 918 ton, Prizreni me 105 mijë e 397 tonë dhe Podujeva me 16 mijë e 195”, thuhet në raport.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore