Lajme

“Në vend të ujit, urinë” paramilitarët serbë shqiptarëve të shtruar në spital


Vuajtjet e plagët e pacientëve, të plagosurve, të keqtrajtuarve nga policia dhe paramilitarët serbë. Keqtrajtimet e personelit mjekësorë dhe studentëve të mjekësisë, shumë prej të cilëve mbetën të vrarë, së shpejti do të publikohen në një përmbledhje.

Prof.Ass.Dr. Salih Krasniqi, së shpejti do ta hap ekspozitën e tij ku përmes fotografive dhe dokumenteve, do të paraqesë përjetimet e popullit shqiptar gjatë periudhës së luftës në vitet 1998-1999, të faktuara nga vet ai dhe kolegët e tij të cilët kanë ruajtur prova materiale nga kjo periudhë e vështirë, duke qenë vet në krye të detyrës si mjek.

Albanian Post ka zhvilluar një intervistë me kirurgun-laparoskopist, Salih Krasniqin, i cili u shpreh se ekspozita ishte ide e dhënë nga Dr. Lindita N. Çoku, e cila vepron si kardiokirurge në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ideja për një ekspozitë të tillë ka qenë e Dr. Çokut, ndërsa titullin e kam bazuar në recesionin që Prof. Halim Hyseni, e ka bërë për librin tim i cili pritet të botohet gjatë këtij viti” ka thënë Krasniqi për Albanian Post.

Materiali i cili do të publikohet në këtë ekspozitë përfshin gjashtë kapituj, disa nga të cilët përmbajnë fotografi të publikuara në librin e Krasniqit të botuar në maj të vitit 2018 (Krimet dhe keqtrajtimet e pacientëve dhe personelit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë gjatë luftës në Kosovë 1998-1999), dhe disa të tjera të cilat do të jenë pjesë e librit të tij më të ri.

“Disa nga materialet janë të publikuara edhe më parë, disa të tjera do të jenë ekskluzive. Pasi që kam qenë i ftuar në shumë emisione televizive, kam pranuar mesazhe të ndryshme nga persona të cilët e kanë eksperiencuar tmerrin e keqtrajtimit të bërë nga policia dhe paramilitarët serb”, tha tutje, Krasniqi.

Më tej, Krasniqi për Albanian Post, ka treguar disa nga ngjarjet më skandaloze të ndodhura në atë periudhë.

“Kam pasur rast të pacientit, kur policia serbe apo rojtarët e këtij nacionaliteti, në vend të ujit i kanë dhënë urinën për të pirë, thjesht i kanë mbushur një shishe uji më urine dhe ia kanë përcjellë”.

Ndërsa, sa i përket datës së saktë të hapjes së ekspozitës, si dhe përkrahjes shtetërore ndaj saj, Salihu, u shpreh:

“Deri më sot nuk kam pasur mbështetje nga shteti, as kur e kam botuar librin në vitin 2018, dhe as për ekspozitën në fjalë. Të vetmen mbështetje që po pres është ajo nga Fakulteti i UBT-së, por nëse edhe kjo e fundit nuk shpreh vullnet të më ndihmojë, sigurisht që më mbetet mua ti finalizoj gjërat vet deri në fund”.

Ndryshe, gjashtë kapitujt e ekspozitës “Si u vra Kodi etik i Hipokratit dhe si u shkelën ligjet ndërkombëtare të luftës?”, do të kenë përmbajtje të veçanta.

Kapitulli i parë – do të prezantoj 45 pjesëtaret e personelit mjekësor që janë vrarë, zhdukur e masakruar nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

19 nga ta janë mjekë të profileve të ndryshme, 14 të tjerë janë infermierë të vrarë nga të cilët akoma disa rezultojnë të zhdukur, 8 studentë të mjekësisë si dhe 3 persona ë tjerë që kanë punuar në shtëpi të shëndetit.

Gjithashtu, ky kapitull përfshin edhe 5 mjekë të tjerë të cilët u ishin nënshtruar formave të torturës, trajtimit dhe dënimit mizor, çnjerëzor dhe degradues mbi arrestimet e paligjshme dhe gjykimet e rreme të  improvizuara.

Kapitulli i dytë – do të prezantoj 65 fëmijët e hospitalizuar në Spitalin e Prishtinës që nga ardhja në jetë e deri në moshën 17 vjeç.

Nga këta pacientë, 7 fëmijë kanë vdekur gjatë trajtimit në spital, ndërsa materiali përfshin edhe fëmijë 6 muajsh të cilët kanë plagë sklopetare.

Vend në ekspozitë do të zë edhe historia e fëmijës së shkelur me tank, ku nëna e fëmijës është detyruar të futet brenda në tank dhe bashkë me forcat paramilitare ta shkel fëmijën e saj, por që fëmija i shpëtoi plagëve të marra, dhe sot jeton akoma.

Kapitulli i tretë –
do të prezantoj 182 pacientë të hospitalizuar në degët kirurgjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, e të cilët ishin mbi moshën 18 vjeçare.

Gjithsej, 38 prej tyre kanë vdekur gjatë trajtimit spitalor duke përjetuar një tmerr të paparë.

Shumë prej tyre janë rrahur e maltretuar në mënyrë brutale dhe për secilin nga ta është përshkruar në eksponatet e ekspozitës.

Kapitulli i katërt – do të prezantoj 31 pacientë të plagosur në burgun e Dubravës, të cilat janë hospitalizuar në kirurgjinë vaskulare të Spitalit të Prishtinës.

Në fotografitë do të paraqiten vuajtjet e pacientëve gjatë trajtimit në spital, të cilat në krahasim me plagosjet që morën në burg, ishin akoma më të rënda nisur prej faktit se nga spitali dolën në gjendje edhe më alarmante.

Kapitull i pestë
– do të prezantoj 17 pacientët të zënë rob nga forcat serbe në Spitalin e Prishtinës.

Gjithashtu, në vend të profesioneve të tyre, policia serbe ua kishte shkruar fjalën “Terrorist”, duke i keqtrajtuar në mënyrat më çnjerëzore përgjatë trajtimit të tyre shëndetësor.

Mes të tjerash, njëri nga këta pacientë ishte fëmijë 17 vjeçar.

Kapitulli i gjashtë – do të prezantojë 6 pacient me dokumente të gjetura pas lufte, që nuk janë pjesë e protokolleve të spitalit.

Në dokumentacionin e njërit prej pacientëve shkruan se ka qenë në spital dhe kur ka ikur prej aty nga dhuna enorme, e kane vrarë në oborr të spitalit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore