Në tubim të LVV-së asnjë flamur i Kosovës, Selimi: Zgjedhjet po afrohen

SHFLETO

Tubimi i LVV-së

 

Dreni Himbeqa
18.06.2024 15:30
Loading Icons...

Viti 2024 është vit zgjedhor në Kosovë, ndërsa partitë kanë nisur përgatitjet për fushatë zgjedhore. Përjashtim nga kjo nuk ka bërë as partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e fundit fitoi mbi 50 për qind të votave.

Lëvizja Vetëvendosje, të hënë, ka organizuar një tubim të madh për nder të 19-vjetorit të themelimit të partisë, ku nga pamjet e publikuara është vërejtur se partia në pushtet nuk ka vendosur asnjë simbol të shtetit të Kosovës në sallën ku u mbajt ky tubim.

Për këtë përzgjedhje kritika ka artikuluar edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi.

“Zgjedhjet po afrohen. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur një tubim të partisë së tij në pushtet dhe i është kthyer modës dhe simboleve të vjetra të fushatës. Asnjë flamur i Kosovës nuk shihet. Zero. Vetëm flamur dhe simbole shqiptare”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Çfarë tha Kurti në tubim?

Kurti, në këtë tubim ironizoi me partitë opozitare për të cilat tha se “nuk do të mund t’i shtyjnë zgjedhjet pafundësisht”.

Ai ka theksuar se partia e tij synon që të fitojë edhe në zgjedhjet komunale, teksa si shembull e morri suksesin e klubit të futbollit Ballkani nga Suhareka që është shpallur kampion dhe fitues i kupës.

“Le ta marrim si shembull një ekip të suksesshëm futbolli, fjala vjen Ballkanin e Suharekës. Për qeverisje qendrore dhe komunale nga zgjedhjet parlamentare dhe lokale le ta fitojë LVV-ja në vitin 2025 kampionatin dhe kupën”, theksoi kreu i Qeverisë.