Art&dizajn

Në studion e Zef Shoshit, me Zogun, Enverin dhe Mao Ce Dunin


Zef Shoshi më kishte bërë një portret. Që para tre vitesh. Nuk e kisha parë. Shkova këtë javë.

– Ja ku je,- tha Zefi dhe më tregoi kavaletin.

– Nuk jam unë,- i thashë.

– Ti je,- tha Zefi.- Ja skica me laps. Ja ku je dhe me ngjyra, në kanavacë.

– Jo, ky nuk jam unë,- i thashë.- Po mjekrën ku e kam?

– Epo atëherë nuk kishe,- tha Zefi.- A do të të bëj me mjekër?

– Po këtë xhaketë blu,- i thashë,- si më ke veshur kështu, si kryetar kooperative. Dukem si një komunist i ushqyer mirë.

– Po kështu erdhe kur pozove,- tha Zefi,- me këtë xhaketë.

– Atëherë merresha me politikë,- thashë unë,- isha i shëmtuar.

– Ndoshta,- tha Zefi.

I hoqa sytë nga vetja. Ngrita kokën në tavan.

– Mos shif studion,- tha,- ra e gjitha nga tërmeti.

– Ça t’u prish? – e pyeta.

– Shumë punë u shkatërruan, dëm i madh!

– Po ky portreti im pse shpëtoi?- e pyeta.

– Ça do të pish?- pyeti Zefi.

– Asgjë,- iu përgjigja,- dua të të bëj një fotografi.

– Mirë,- tha,- ma bëj.

– Erdha të më bësh ti një portret, po të bëj unë ty një portret,- i thashë.

– Ku të rri?- pyeti Zefi.

– Do rrish para asaj nudos aty,- i thashë.

– Kjo është nudo e vjetër, e kam bërë në Rusi, mund të këtë 65 vjet,- tha Zefi.

– Ajo gruaja do ketë vdekur,- thashë unë.

– Eh!- tha Zefi.- Ku i dihet?!

– Bën më nudo tani?- e pyeta

– Bëra një para dy vitesh. Një mik më solli një modele.

– Edhe u zhvesh?

– Po, u shtri te divani ku je ulur ti.

– Lakuriq?

– Lakuriq.

– Ma trego,- i thashë.

Zef Shoshi nxori pikturën.

– Trupin e ka të mirë,- i thashë,- fytyrën çka. Sikur nuk shkon lakuriq me buzë të lyera me të kuq.

– As mua s’më pëlqen,- tha Zefi,- se si e kishte lëkurën, nuk më ngjiti.

– Pse, e preke?

– Jo, jo,- tha Zefi,- nuk i prek unë modelet. Ma ka thënë Sali Shijaku që kur ishim në Leningrad, mos u ngatërro me modelet.

– Po Saliu ngatërrohej me modelet?

– Kush e mban mend. Po ruset ishin shumë të lirshme.

– Që kur vizaton Zef?

– Që nëntë vjeç. Babai e kishte qejf vizatimin. Ai më detyronte të vizatoja pikturat e Leonardo da Vinçit.

– Edhe babai ishte piktor?

– Nuk u bë dot,- tha Zefi.- Punoi në bankë. Në kohën e komunizmit bënte tabelat e emulacionit socialist.

– Po pse nuk u bë piktor?

– Nuk i dha bursë Mbreti. Babai i bëri Zogut një portret dhe ia çoi në shtëpi që të fitonte bursën.

– Epo, s’duhet t’i ketë pëlqyer Zogut vetja, njëlloj si mua.

– Nuk e di,- tha Zefi,- po babait nuk i dha bursë.

– Po ti ku ke punuar?

– Deri në vitin 1976 bëja kopertina librash te shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Pastaj bëra një portret të Enver Hoxhës dhe më nxorën në profesion të lirë. E pëlqyen portretin tim.

– Sa herë e ke vizatuar Enverin?

– Shumë herë,- tha Zefi.- Një herë e bëra Enverin në Tropojë, gju më gju me popullin.

– Shkove në Tropojë?

– Po,- tha Zefi.- Por pasi iku Enveri. Pyeta njerëzit që e kishin takuar. Pastaj i bëja pikturat nga fotografitë e tij.

– Po Enveri pse nuk pozonte?

– Nuk pranonte. Një herë më thirrën në Ksamil. Ai kishte një takim me popullin. Unë qëndrova rreth tre metra afër tij dhe hodha disa skica. Më lanë të punoja gati 15 minuta. Kaq ishte koha!

– Të foli?

– Jo,- tha Zefi,- fare.

– Kush i kontrollonte pikturat e Enverit?

– Ramiz Alia. Kur bëra portretin zyrtar të Enverit, ai erdhi në studio.

– Çfarë të tha Ramizi për Enverin?

– Më bëri një vërejtje për sytë. Ngaqë ai e njihte më mirë, se unë s’e kisha parë kurrë nga afër.

– Ia ndryshove sytë Enverit?

– Nuk bëra asnjë ndryshim.

– Po ndonjë rus ke vizatuar, Hrushovin ose Brezhnjevin?

– Kam vizatuar mbledhjen e 81 partive në Moskë. Para meje, Guri Madhi e kishte vizatuar mbledhjen me Enverin dhe Mehmet Shehun. Unë e bëra pa Mehmetin, sepse në atë kohë ai ishte shpallur armik dhe duhej të fshihej nga pikturat zyrtare. Kam vizatuar edhe Mao Ce Dunin.

– Po Mao Ce Dunin pse?- e pyeta.

– Bëhej një ekspozitë e artit shqiptar në Kinë dhe duhej që një pikturë e Maos të rrinte afër me një pikturë të Enverit. Unë bëra Maon.

– Sa e madhe ishte puna e Maos?

– Katrore,- tha Zefi.- Ndoshta sa kjo nudoja, 1.30 me 1.30.

– Punon çdo ditë tani?

– Kur mundem, po,- tha Zefi.

– Të dridhet dora?

– Nuk më dridhet, por nuk kam shumë frymëzim.

– Sa vjeç je?- e pyeta.

– 83,- tha Zefi.

– Shumë gjatë jetoni ju piktorët, më gjatë se shkrimtarët,- thashë unë.

– Ne punojmë në këmbë,- tha Zefi,- shkrimtarët rrinë ulur.

– Ke të drejtë,- i thashë,- prandaj po bëhem fotograf.

– Më trego foton time me nudon,- tha Zefi.

Ia tregova.

– Unë bëj pikturë nga fotografia, ti bën fotografi me piktura.

– Të shofim si del bardhë e zi,- i thashë,- në studio nuk ka shumë dritë.

– Po me portretin çdo bëjmë?- pyeti Zefi.

– Ç’të bëjmë,- i thashë,- aty nuk jam unë.

– Shiko,- tha,- unë duhet të punoj. Mbaj dhe djalin që nuk punon dot. Për këtë portret kam harxhuar.

– Sa duhet të të jap?- e pyeta.

– Ti e di vetë,- tha Zefi.

– Mirë,- i thashë,- do vij prapë dhe rregullohemi, por me një kusht.

– Më thuaj,- tha Zefi.

– Zhduke këtë portretin tim.

– Flasim,- tha Zefi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore