Lajme

Në Spanjë zbulohen mbetjet e një sinagoge mesjetare ku hebrenjtë luteshin 530 vite më parë


Në qendrën historike të qytetit Andaluzian të Utrera-s, në një ndërtesë të braktisur arkeologët konfirmuan zbulimin e mbetjeve të një sinagoge në të cilën hebrenjtë spanjollë luteshin rreth 530 vjet më parë.

Arkeologët arritën të vërtetonin se ndërtesa në Spanjën jugperëndimore, e cila e ka origjinën nga shekulli i XIV-të, shërbeu si një sinagogë ku komuniteti lokal hebre kryente ritualin e lutjes deri në dëbimin spanjoll në vitin 1492.

“Përbërësit e rëndësishëm të një sinagoge, si salla e hyrjes dhe mbetjet e stolave, konfirmojnë se është një vend lutjeje”, ka treguar arkeologu Miguel Angel De Dios.

Ekipi i tij ka ekzaminuar muret dhe dyshemetë e ndërtesës së braktisur për disa vite. Dhe tani ai shpreson të gjejë mbetje shtesë të një sinagoge.

Arkeologët do të kërkojnë njëherazi për ndërtesa të tjera hebraike që mund të jenë ndërtuar pranë sinagogës, siç ishte e zakonshme në komunitetet hebraike.

“Tani jemi të sigurt, duke folur shkencërisht, se është një sinagogë mesjetare”, ka thënë kryebashkiaku i Utrera-s, Jose Maria Villalobus.

Megjithëse vendi u ruajt vetëm pjesërisht, sipas tij kjo është një gjetje e rrallë dhe e jashtëzakonshme pasi pak sinagoga nga Spanja mesjetare kanë mbijetuar.

Më të rëndësishmet prej tyre u gjetën në Toledo, Cordoba dhe Segovia.

Sakaq, zbulimi i një sinagoge në qytetin e Utrera-s kontribuon më tej në ruajtjen e trashëgimisë së hebrenjve sefardi, të cilët u dëbuan nga Spanja në vitin 1492.

Dëshmia e vetme e ekzistencës së sinagogës u shkrua në vitin 1604 nga prifti dhe historiani Rodrigo Caro, i cili shkroi se spitali që qëndronte aty ishte ndërtuar mbi rrënojat e një shtëpie lutjeje hebreje.

Në shekullin e XVI-të, sinagoga u shndërrua në një kishë dhe çdo shenjë e jashtme e asaj që strehonte dikur u fshi.

Kryebashkiaku ia atribuoi ruajtjen e ndërtesës pas qindra vitesh faktit se struktura shërbente për shumë përdorime. Pasi u bë spital dhe kishë, strehoi një jetimore, një restorant dhe një pijetore derisa u braktis.

Qëndroi e shkretë për dy dekada, derisa u ble nga bashkia në vitin 2018.

“Kjo është një mundësi për ne që të rizbulojmë historinë tonë”, ka vijuar Villalobus.

Gjithashtu edhe për potencialin e saj për kërkime të mëtejshme dhe turizëm. Në të ardhmen, ndërtesa do të jetë e hapur për vizitorët dhe arkeologët do të vazhdojnë të punojnë në të.

Në dekadat e fundit, Spanja ka rizbuluar të kaluarën e saj hebraike dhe qytetet në të gjithë vendin po ruajnë trashëgiminë e tyre historike, kulturore dhe arkeologjike hebraike.

Në vitin 2015, Spanja miratoi një ligj që u mundëson pasardhësve të hebrenjve të dëbuar të marrin nënshtetësinë spanjolle.

Një sinagogë u zbulua në qytetin Ubeda, në Spanjën jugore, përpara punimeve të ndërtimit në vitin 2007. Punimet zhvillimore në vendin ku më parë kishte një sallon flokësh dhe që ishte planifikuar të bëhej një hotel dhe parking, zbuluan mbetjet e një sinagoge mesjetare.

Kështu që, puna ndërtimore u ndërpre dhe filloi gërmimi dhe ruajtja.

Në vitin 2010, ajo sinagogë u hap për publikun si muze, e quajtur Sinagoga del Agua.

Kurse në vitin 2003, gjatë ndërtimit të një hoteli, një sinagogë tjetër u zbulua në qytetin Lorca në Spanjën jugperëndimore. Vendi u shpall një sit i trashëgimisë kombëtare dhe u ruajt në përputhje me rrethanat.

Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian dha gjysmë milioni euro për ruajtjen e lagjes hebraike të qytetit, duke përfshirë edhe sinagogën.

Pesë vjet më parë, Fondacioni për Trashëgiminë Hebraike dhe Qendra për Artin Hebraik të Universitetit Hebraik nisën një bazë të dhënash të sinagogave historike të Evropës.

Ai tregon se nga 17 mijë sinagoga të para Luftës së Dytë Botërore, kanë mbetur 3 mijë e 318 ndërtesa, shumica e tyre të braktisura ose që shërbejnë si kisha, dyqane, restorante, teatro dhe për përdorime të tjera.

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore