Shqipëria

Në shpëtim të pyjeve


Pyjet në flakë

Rreziku i djegies së zonave pyjore përgjatë muajve të verës ka qenë vazhdimisht i pranishëm në territorin e Shqipërisë.

Dhe përfshihet te ato raste kur mobilizimi i strukturave shtetërore është tejet i nevojshëm në trajtimin e rrezikut që u kanoset pyjeve.

Madje, bashkërendimi i punëve mes tyre merr një karakter thelbësor në ‘shpëtimin’ e pyjeve dhe rehabilitimin e zonës së prekur.

Tabloja e situatës

Albanian Post ka komunikuar me Elira Lulin, specialisten e marrëdhënieve publike pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC).

Sipas ligjit 45/2019, AKMC-ja është institucion qendror për mbrojtjen civile dhe zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë në Republikën e Shqipërisë.

Agjencia ushtron autoritet koordinues, bashkërendues, drejtues, teknik, mbikëqyrës dhe kontrollues në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile.

AKMC-ja tregon se “zakonisht, pyjet në Shqipëri janë të prirura për zjarre në dy periudha, në fund të pranverës dhe verës nëse klima është shumë e thatë”.

Për sa i përket shkaqeve ato janë “të karakterit antropogjen. Sipas disa studimeve që janë bërë të dhënat tregojnë që shkaqet variojnë që nga neglizhenca, faktorë të panjohur, zjarrvëniet e qëllimshme apo diku më pak nga ngjarjet e pazakonta dhe rrufeja në kushte ekstremi moti”.

Agjencia ka vënë në dispozicion edhe disa shifra për sipërfaqet e prekura gjatë viteve.

“Midis vitit 2004 dhe 2013, sipërfaqja mesatare vjetore e djegur ishte 2,731 ha pyje, 50 ha zona të mbrojtura (jo pyjore) dhe 2,000 ha bimësi tjetër (të tilla si ligatinat). Dëmet përfshijnë dhe  15 shtëpi të djegura. Çdo vit digjen gjithashtu rreth 200 ha pemë ulliri dhe kultura të tjera bujqësore”, shkruhet në letrën dërguar për Albanian Post.

Ndërkohë që për dy vitet e fundit, të dhënat flasin për 866 rënie të zjarreve në pyje të përkthyera këto në 4358 ha për vitin 2020 dhe 201 ha dhe 402 rrënjë gjithsej për viti 2021.

AKMC-ja vlerëson se 2017-a dhe 2018-s “kanë qenë më të këqijat në këtë dekadë të fundit për nivelin e dëmtimit të shkaktuar nga zjarret në pyje”.

Për sa i përket vitit 2017, zona të konsiderueshme pyjore u gjetën shumë të dëmtuara nga zjarret në disa komuna të vendit.

“Zonat me zonat pyjore më të dëmtuara ishin rajonet e Lezhës, Vlorës, Beratit, Fierit dhe Korçës, ku si më i rrezikshmi konsiderohej zjarri që ra pranë tunelit të Kërrabës, në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan dhe në të gjithë vendin”, tregon agjencia.

Sipas Sistemit Evropian të Informacionit të Zjarrit në Pyje, i cili është pjesë e sistemit të emergjencave civile Copernicus të vendosur nga Komisioni Evropian, në vitin 2017, në Shqipëri u dogjën 15,228 hektarë pyje dhe kullota dhe u regjistruan 87 burime zjarresh.

AKMC-ja mbron tezën se situata ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit.

“Vitet 2019-2020, si dhe viti që ndodhemi, rezultojnë në rënie të konsiderueshme të zjarreve, kjo sipas një analize paraprake ndodh si pasojë e sensibilizimit dhe gatishmërisë së institucioneve përgjegjëse me plane masash”, shkruhet në letër.

Por edhe “nga kufizimet që ju është bërë lëvizjes së njerëzve në kuadër të masave të pandemisë Covid-19, si dhe në njëfarë mase, nga një rritje e ndërgjegjësimit te popullatës ndaj fenomeneve te natyrës duke qenë se kohët e fundit këto impakte po bëhen gjithmonë e më të prekshme”.

Thatësira dhe erërat janë kontribuuesit kryesorë natyrorë në përhapjen e zjarreve, të cilat mund të marrin përmasa ekstreme.

“Zjarret janë të zakonshme në zonat pyjore dhe me vegjetacion të zhvilluar, apo në zona kodrinore të mbjella më pemë frutore, ullinj dhe vreshta. Nga këto zona mund të veçohen zona e Mirditës, e Llogarasë, Ersekës, zona e Fierit-Semanit dhe deri diku zona e Vaut të Dejës dhe shpeshherë rrezikohen dhe parqet kombëtare”, tregon AKMC-ja.

Cila është baza ligjore?

Ekziston një kuadër ligjor dhe ka struktura institucionale në fushën e menaxhimit të zjarreve pyjorë.

Sipas kornizave ligjore që kanë të bëjnë me pyjet, tokat pyjore, kullotat dhe mbrojtjen nga zjarri në pyje të gjitha organizmat/institucionet që administrojnë pyjet dhe kullotat dhe pronarët e pyjeve private dhe zonave të kullotave, janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur zonat nën juridiksionin e tyre.

Dhe përpos Ligjit për Pyjet dhe Shërbimin Pyjor dhe Ligjit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi, janë edhe rregulloret apo udhëzimet e tjera që zbatohen.

Baza ligjore është ajo që përcakton detyrimet dhe përgjegjësitë institucionale në lidhje me mbrojtjen e pyjeve nga zjarret, si dhe masat parandaluese që do të merren në bashkëpunim me fondet përkatëse vjetore.

Përveç kësaj, me reformën administrative territoriale që nga 2015-a, çdo bashki tashmë disponon struktura të posaçme për të dhënë shërbimin e mbrojtjes ndaj zjarrit dhe shpëtimit, të organizuara ose në nivel drejtorie ose si sektor.

Sipas AKMC-së, Prefekturat dhe Bashkitë janë ato që disponojnë plane masash për mbrojtjen nga zjarri të cilat përpiqen të bëjnë integrimin e veprimeve midis parandalimit dhe zhdukjes së zjarrit.

Gjithashtu ato “bëjnë të mundur organizimin e shërbimeve të integruara zjarrfikëse me strukturat e tjera të angazhuara në mbrojtjen e pyjeve”.

Në kuadër të kësaj, Albanian Post ka zhvilluar një takim me drejtuesin e pyjores së Bashkisë Tiranë, Lutfi Pupla, i cili ka sqaruar se për çdo rast të paraqitur, merren menjëherë masat për koordinimin mes kryepleqve të fshatrave dhe prefekturës.

Megjithatë, ai ka pranuar se dy vitet e fundit nuk ka pasur rrezikime të mëdha të zonave pyjore dhe se në çdo rast punohet në bashkërendim mes institucioneve përgjegjëse.

Sipas tij, komunikimet më të shpeshta janë realizuar me kryepleqtë e fshatrave, prej të cilëve merret edhe informacioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore