Lajme

Në Prishtinë hapet edhe një qendër për testim të COVID-19


Qendra e re e testimit në Prishtinë.

Pas rritjes së rasteve me COVID-19 në Prishtinë është hapur edhe një qendër e re për testim.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Nga sot e kemi hapur edhe një qendër për testim në QMF IV në Xhemail Ibish”, ka shkruar Sadiku.

Ai tutje bëri të ditur se kjo qendër do të jetë e hapur nga ora 08:00 deri në orën 15:00.

“Duke parë që ditëve të fundit është rritur numri i rasteve me COVID19 që ka ndikuar në rritjen e kërkesës për testim për COVID19. Javën e fundit kemi pasur 300-400 kërkesa për testim”.

Qendra e re e testimit në Prishtinë.

Më 7 korrik Ministria e Shëndetësisë miratoi rekomandimin e Komitetit për imunimizimin e popullatës me vaksinën kundër COVID-19 për lejimin e vaksinimit me dozën e katërt të grup-moshës së popullatës mbi 60 vjeç, të paktën 4 muaj pas marrjes së dozës së tretë.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi

Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg, në një bisedë për Albanian Post kishte sqaruar se secila dozë e vaksinës ka një përqindje të caktuar të mbrojtjes kundër COVID-19.

Ndryshe, me 5 korrik, Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur përmes një komunikate se për 15 ditë, numri i rasteve aktive është 11-fishuar.

MSH-ja, ka sqaruar se rritja ka ndikuar që edhe të ketë të shtrirë me COVID-19 në spitale, ani pse tash e një kohë nuk ka pasur të shtrirë në spitale e QKUK-së me Coronavirus.

“Rrjedhimisht, kjo ka reflektuar edhe me shtrime të reja të pacientëve në spital të prekur nga COVID-19. Aktualisht, 25 pacientë të infektuar po trajtohen në spitalet e Kosovës nga COVID-19”.

Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë janë shënuar 230 mijë e 54 raste pozitive, ndërsa kanë vdekur 3.140 persona.

Ndryshe, në muajin maj Albanian Post kishte vizituar Klinikën Infektive në të cilën kishte qenë një situatë krejtësisht e qetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore