Lajme

Në përvjetorin e 11 shtatorit, Amerika ende vuan nga vetë-mashtrimi


Kjo e dielë shënon 21 vjetorin e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të planifikuara dhe nisura nga al-Qaeda në Afganistan, sulmet vranë 2 mijë e 977 njerëz të pafajshëm.

Shumëçka ka ndryshuar që nga ajo kohë, por pas tërheqjes katastrofike të ushtrisë amerikane vitin e kaluar, talebanët sundojnë sërish Afganistanin dhe al-Qaeda gëzon një strehë të sigurt atje – ashtu siç bëri më 11 shtator të vitit 2001.

Disa mund ta hedhin poshtë përfundimin tragjik në Afganistan si një episod të trishtuar, ndërsa Washingtoni po fokusohet në sfida të rëndësishme diku tjetër.

Por të vërtetës nuk i fshihesh për shumë gjatë.

Kërcënimet janë aty në Afganistan dhe dështimi për t’i trajtuar çoi në tërheqjen katastrofike që do të shkaktojë fatkeqësi të ardhshme në politikën e SHBA-ve ndaj kundërshtarëve të tjerë.

Për të kuptuar sëmundjen e vazhdueshme të “vetë-mashtrimit” me të cilën vuan Washington, merrni parasysh komentet e Presidentit të SHBA-ve Joe Biden në gusht të vitit 2021.

“Çfarë interesi kemi ne në Afganistan në këtë pikë me al-Qaedan e zhdukur?”

Ai kërkoi justifikimin e vendimit të tij për të tërhequr çdo pjesëtar të shërbimit amerikan nga Afganistani.

“Ne shkuam në Afganistan me qëllim të qartë për të hequr qafe al-Qaedan. Dhe ne e bëmë”.

Problemi me deklarata të tilla është se ato nuk ishin qartazi të sakta, siç paralajmëruan shumë në fillim të vitit të kaluar dhe siç e ka dokumentuar për shumë vite Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive “Long War Journal”.

Talebanët i dhanë al-Qaedas një strehë të sigurt për të planifikuar 11 shtatorin dhe të dyja grupet kanë mbetur të lidhura ngushtë që atëherë.

Në të vërtetë, jo më pak se një ekip monitorues i Kombeve të Bashkuara përsëriti në një vlerësim të prillit 2021 se “Talebanët dhe al-Qaeda mbeten të lidhur ngushtë dhe nuk tregojnë asnjë element të prishjes së lidhjeve”.

Ju e dini se ka një problem kur një ent i OKB-së ka një pamje më të qartë të armiqve të Shteteve të Bashkuara sesa Shtëpia e Bardhë.

Si një përpjekje për të shfajësuar rezultatet e politikës së saj në Afganistan, administrata Biden tregon sulmin e suksesshëm me dron amerikan që vrau kreun e al-Qaedas, Ayman al-Zawahiri, në korrik në Kabul.

Por amerikanët do të ishin më të mençur nëse arrinin të bënin disa pyetje.

Pse Zawahiri u zhvendos në kryeqytetin afgan pas tërheqjes së trupave të Shteteve të Bashkuara, kur ai mund të kishte qëndruar aty ku ishte ose të lëvizte diku tjetër?

Çfarë thotë dëshira e tij për t’i bërë udhëheqësit talebanë pronarë dhe fqinjët e tij të rinj për marrëdhëniet e vazhdueshme midis dy grupeve terroriste?

Cilët anëtarë të tjerë të al-Qaedas u zhvendosën në Afganistan pas tërheqjes së SHBA-ve?

Dhe çfarë kanë bërë ata atje?

Shtëpia e Bardhë nuk duhet të jetë aq ‘budallaqe’ sa të besojë se një sulm në vit është i mjaftueshëm për t’i privuar al-Qaedas hapësirën e frymëmarrjes që i nevojitet për të planifikuar dhe nisur sulmet kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Arsyetimi i Biden-it për tërheqjen ishte vetëm shembulli i fundit i një zakoni dypartiak të vetë-mashtrimit.

Në Afganistan, politikat dhe strategjitë e Washington-it gjatë dy dekadave bazoheshin në trillime që liderët amerikanë i thanë vetes dhe popullit amerikan, sesa në vlerësimet objektive të armiqve dhe kundërshtarëve, situatën në terren dhe veprimet e nevojshme për të siguruar interesat e SHBA-ve.

Ky vetë-mashtrim ka çuar në humbje të vetvetes.

Shembull: Fjalimi i Presidentit Barack Obama në vitin 2009 në Akademinë Ushtarake të SHBA-së, në të cilin ai njoftoi vendimin e tij për të dërguar 30 mijë trupa shtesë në Afganistan.

Në fjalinë tjetër, Obama deklaroi se “pas 18 muajsh, trupat tona do të fillojnë të kthehen në shtëpi”.

Trupat amerikane nuk duhet të qëndrojnë në rrezik një ditë më shumë sesa kërkojnë interesat e vendit, por deklarata të tilla sinjalizojnë mungesë vendosmërie dhe dërgojnë një mesazh kundërproduktiv për kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara.

Bota pa përsëri të njëjtin vetë-mashtrim të Washingtonit në marrëveshjen e administratës Trump në vitin 2020 me talebanët dhe lëshimet pasuese ndaj grupit.

Këto lëshime u dhanë goditje psikologjike aleatëve afganë të Shteteve të Bashkuara, të cilat goditën më shumë se sulmet fizike që mund të jepnin talebanët, duke përfshirë negocimin me qeverinë afgane, duke mos këmbëngulur për një armëpushim, duke e detyruar qeverinë afgane të lirojë mijëra njerëz.

Marrë nga Foreign Policy, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore