Shqipëria

Në palestër, jo vetëm për një trup të bukur


“Trup të bukur dhe të shëndetshëm”, kjo është kërkesa që parashtrojnë vajzat në palestër.

Vitet e fundit, dëshira për t’u ushtruar është bërë pjesë dominuese në stilin e jetesës. Këtë e pohojnë vetë instruktorët e palestrave.

Benet Tolaj, i cili ka 7 vite që punon si trajner personal tregon për Albanian Post se, 2-3 vitet e fundit vetëdijësimi individual për t’u marrë me palestër është shumë më i madh sesa në fillimet e tij.

“Gjatë eksperiencës time kërkesat bazike kanë qenë gjithmonë të njëjta. Kur them bazike nënkuptoj, formësimin e trupit në përgjithësi. Por, kohët e fundit kërkesa për të ngrënë ushqime të shëndetshme është shumë më e madhe”, tha Tolaj.

Në të njëjtën linjë qëndron dhe trajneri personal Ilirjan Balla, i cili thekoi se “ka pasur goxha ndryshim të kërkesave këto dy vitet e fundit duke marrë parasysh edhe pandeminë”.

“Kjo situatë ka bërë që primar të jetë shëndeti në shumicën e rasteve, forcimi i imunitetit me regjime ushqimore dhe me programe stërvitje në mënyrë sa më natyrale. Kjo ka ardhur si pasojë e informacionit që individët që kanë imunitet të dobët, mbipeshë, mungesë të aktivitetit fizik janë më të rrezikuarit nga sëmundjet virale”, shpjegon ai për Albanian Post.

Megjithatë, vijon Tolaj, kërkesat, dëshirat dhe realiteti shpesh herë janë të kundërta me njëra-tjetrën.

“Qëllimi për të arritur një trup të palestruar mirë pa celulite dhe pa dhjam është shumë i madh. Duke marrë parasysh që kemi lloje të ndryshme të trupave, konkretisht gjenetikë të ndryshme nga njëra-tjetra atëherë edhe kërkesat janë të ndryshme. Disa nga kërkesat e shpeshta që vajzat i kanë prioritet janë heqja e dhjamit të tepërt në bark dhe formimi dhe rikonstruktimi i gluteusit”.

Instruktor Iliri thotë se kërkesat variojnë nga rënia në peshë te kërkesa për tonifikim dhe ndërtim mase muskulare.

Një rrëfim për Albanian Post vjen dhe nga Suela, e cila ushtrohet çdo ditë intensivisht.

“Në fillim prioriteti im ishte të dobësohesha që të ndihesha mirë me veten, me shëndetin dhe me veshjet. Por, me kalimin e kohës stërvitja u kthye në antistres për mua. E dashuroj. Nuk më ndikon asgjë për të hequr dorë, as puna dhe as lodhja që mund të kem gjatë ditës”.

Ndërsa, Tolaj ndër të tjera rrëfen edhe problemet që hasen në momentin që konsultohet me klientët.

“Shpesh herë hasim në probleme trupore të cilat nuk janë vënë re gjatë kohës që nuk janë marrë me aktivitete sportive ose që vijnë si pasojë e mos stërvitjes së mirë. Disa prej tyre janë skolioza (devijimi i boshtit kurrizor), spondiloza, hernia diskale, probleme me gjunjë dhe ligamente kryesisht (Acl), e shumë probleme të tjera që e ndryshojnë synimin fillestar të tyre”.

Dikush për një trup të bukur, dikush për shëndet më të mirë, e dikush tjetër për t’i miksuar të dyja…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore