Teknologji

Në një betejë të heshtur


Pa prit pak! Ndoshta ai djali i vogël atje tej është duke luftuar me veten. Jo prej vetes, por ndoshta prej dikujt tjetër që pa kërkesën e kurrkujt tenton të gërvishtë ato idealet vocërrake që tronditin fort rrugëtimin e tij.

A ja ke parë vështrimin? Të tremb se nuk di të ndalet së luftuari. Të shtyn të ndjehesh i pafuqishëm pasi nuk e ndihmon dot se është beteja e tij e heshtur.

Ai mundon veten dhe a e di pse? Një tjetër, i panjohur, i drejton sytë e djalit te fjalët e vrazhda që shfaqen pareshtur në ekranin e vogël të telefonit, i cili po dridhet ndër duart e tij.

I kapluar nga mendimet mbytëse që i vijnë ndër mend, hesht, shtrëngon vetullat, ndërsa sytë i rrëmbushen dhe nis të fajësojë veten.

E për çfarë? Se tjetri ashtu deshi. Se dy dekada më parë, vitet deshën që të lindte tjetri i panjohur që, i lehtësuar nga barra e të qenit ballë për ballë me djalin, fshihet dhe veç të fton të bëhesh pjesë e betejës.

Prapa errësirës së të panjohurit

Një psikolog e sheh bullizmin kibernetik një sjellje që, nëpërmjet ndërmjetësimit të internetit, shkakton dëme të konsiderueshme te të tjerët. Almir Xhangolli thekson për Albanian Post se kanalet e mediave sociale janë të parat që strehojnë sjellje të kësaj natyre.

Mirëpo, sipas tij, duhet qartësuar diçka, bullist kibernetik nuk mund të quhet kushdo.

Xhangolli thotë se duhen plotësuar pesë kushte për t’u cilësuar si i tillë. Autori duhet të ketë qëllim lëndimin e viktimës ose të paktën sjelljet të perceptohen si të dëmshme nga viktima. Këto sjellje duhet të jenë të përsëritura. Me rëndësi është që të ekzistojë një mungesë ekuilibri mes viktimës dhe autorit. Autori të jetë anonim, ndërsa sjellja e tij e dukshme.

Anonim, sepse bullizmi kibernetik nuk ka nevojë për prezencën fizike të autorit dhe as dominancë në sjelljen ndaj viktimës.

“Ka mjaft arsye pse njerëzit bëjnë sjellje të bullizmit kibernetik. Shpesh ata vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Gjithashtu priren të kenë tipare të ‘errëta’ të personalitetit dhe, nëpërmjet bullizmit kibernetik, plotësojnë nevojat e tyre për pushtet”, dallon Xhangolli.

Nuk është çudi që vetë autori të jetë edhe viktimë. Ndodh kur janë “duke u përpjekur të ndihen më në kontroll ose duke u hakmarrë pasi janë viktimizuar”. E të tjerë, thjesht janë të mërzitur dhe dëshirojnë të largojnë mërzinë, shprehet Xhangolli.

Duke qenë se efektet janë tejet të mëdha dhe shkojnë deri në tentativa për vetëvrasje, zgjidhja që jep Xhangolli është raportimi i sjelljes qoftë te prindërit, qoftë tek autoritetet.

Dëgjojnë autoritetet?

Edhe dëgjojnë. Një avokat e trajton fenomenin e bullizmit kibernetik në rrafshin e një procesi që merr kohë dhe zgjat. Gedeon Dudushi shpjegon për Albanian Post se kushdo, që përballet me sjellje të tilla, ka të drejtën t’u drejtohet autoriteteve përkatëse.

“Nëse një person përballet me fenomenin e bullizmit kibernetik, ai mund t’i drejtohet Prokurorisë, e cila mund ta çojë personin në ndjekje penale”, shprehet Dudushi.

Avokati sqaron se “identifikimi i personit përgjegjës nga Prokuroria merr kohë pasi gjetja e tij është pjesë e procedurës hetimore”.

Dëmi është akoma edhe më i madh nëse kryhet nga ente që bëjnë shpërndarje të informacionit sepse në raste të tilla kemi të bëjmë me cenimin e emrit të personit.

Më tej, Dudushi tregon se, me përmbylljen e procesit hetimor dhe gjetjen e autorit, viktima e bullizmit kibernetik mund t’i drejtohet gjykatës për dëmshpërblim.

Sipas tij, nëse provohet se viktima ka pësuar dëm psikologjik nga autori, lind e drejta që të kërkojë dëmshpërblim civil.

Po vetë, si mund të mbrohemi?

Një ekspert i sigurisë kibernetike e konsideron parandalimin si thelbësor. Gëzim Hoxha tregon për Albanian Post se, për t’u mbrojtur nga rënia pre e bullizmit kibernetik, duhet që më së pari të ruhen me fanatizëm të dhënat personale.

“Që të mbrohesh, duhet të jesh i rezervuar dhe i përgjegjshëm për të dhënat që shpërndan në rrjet, në mënyrë që mos të të kthehen kundër teje”, thekson Hoxha.

Sipas tij, kjo mbrojtje fillon që me refuzimin e marrjes së numrave të telefonit, adresave të postës elektronike apo fjalëkalimeve të gatshme. Ato duhet të jenë të krijuara nga vetë përdoruesi.

Hoxha shprehet se kujdes i veçantë duhet të tregohet edhe në momentin e dhënies së të dhënave personale nëpër agjenci shtetërore apo faqe interneti për blerje online.

Këshilla e tij është: “Kërko ose informohu se si trajtohen dhe ruhen të dhënat e tua personale!”.

Kjo pasi është detyrim i agjencive shtetërore ose bizneseve private që të ruajnë të dhënat e marra dhe, nga ana tjetër, të mos i keqpërdorin ose shpërndajnë ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore