Lajme

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës miratohen një serë vendimesh


Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Në mbledhjen e të mërkurës, Qeveria e Kosovës, ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për Covid-19”.

Ky projekt është financim shtesë në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (MFPT), për mjete të cilat janë të destinuara për distribuimin e vaksinave anti-COVID.

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, shpjegoi ndarjen e mjeteve nga ky bashkëpunim e që kap shumën 15 milionë euro.

“15 milionë euro është marrëveshja e cila përfshin ndihmën e vaksinave dhe pjesa tjetër edhe për barna esenciale mbi Covid-19, dhe është shumë me rëndësi”, tha Murati.

Një tjetër vendim i cili u miratua në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është që të vazhdohet mbështetja me shtesa për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale deri në fund të vitit, me masën që është në fuqi tash e disa muaj.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në prezantimin e kësaj pike ka thënë se do të vazhdojë të vlejë pagesa shtesë prej 30 për qind mbi shumën mujore për përfituesit e skemës sociale dhe se do të vazhdojë shtesa për pensionistët që kanë marrë pension në vlera dyshifrore të mos marrin më pak se 100 euro në muaj.

“Këtë e bëjmë me synim të krijimit të një shoqërie të barabartë. E konsiderojmë të veçantë ashtu që të paguhen shtesat për periudhën deri në fund të vitit 2021”, ka thënë Murati.

Qeveria po ashtu ka miratuar ndarjen e pesë milionë eurove për subvencionimin për policin kufitare për mërgimtarët, për këtë vit.

Murati tha se në të gjitha pikat kufitare ku ka policë do të ketë subvencionim të tyre.

“5 milionë euro ndahen për policët kufitare për mërgimtarët, një hap shumë i rëndësishëm”, tha Murati.

Është miratuar edhe strategjia për sundimin e ligjit 2021-2026.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, strategjinë e ka prezantuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë strategjia është në përputhje me programin e Qeverisë dhe ka synim që të arrijë kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Haxhiu e ka cilësuar këtë strategji si dokument udhërrëfyes për sundim të ligjit për vitet e ardhshme, ndërsa ka thënë se me të synohet fuqizimi i gjyqësorit, prokurorisë dhe i luftës anti-korrupsion.

Ndërkaq, theksoi se “strategjia prek gjithë sistemin e sundimit të ligjit”.

Kurse, është miratuar edhe propozim-vendimi për emërimin e Komisionit Qeveritar për njohjen e statut të ish-të Dënuarve dhe ish të Përndjekurve Politikë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka propozuar emrat e përbërjes së re të këtij Komision, të cilët më pas u votuan në mbledhje.

Mandati i këtij Komisioni do të jetë dy-vjeçar.

“Për anëtarë të Komisionit për njohjen e statutit të ish-të dënuarve dhe ish-të përndjekurve politik me mandat dy-vjeçar, propozoj këtë përbërje: Fadil Bunjaku, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Petrit Shala, përfaqësues nga Ministria e Financave, Isak Shabani, përfaqësues nga MSH-ja, Hydajet Hyseni-Kaloshi përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, Bertat Luzha, përfaqësues nga Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës dhe Mazllum Baraliu përfaqësues nga Shoqata e Juristëve të Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore