Lajme

Në kujtim të Ibrahim Rugovës, Osmani: Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte presidenti


Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

Në përvjetorin e vdekjes së tij, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar ish presidentin Ibrahim Rugova.

Osmani ka thënë se në 16 vjetorin e ikjes në amshim, e kujton Rugovën me respekt e përulësi.

“Kur ai foli për shtetin e pavarur të Kosovës, realizimi i idesë dukej jo vetëm i vështirë, por edhe i largët. Ai ishte njeriu që trasoi hapat e bërjes së shtetit, duke shndërruar trinomin: liri, pavarësi dhe demokraci në boshtin e aktivitetit për Kosovën shtet. Që të tria u bënë realitet bashkërisht me shtetin e Kosovës”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në Facebook.

“Sot, në 16-vjetorin e ikjes në amshim, e kujtojmë me respekt dhe përulësi atin themeltar të shtetit të Kosovës, presidentin historik, dr.Ibahim Rugova. Ai jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide”, ka vazhduar më tej  Osmani.

Presidentja ka theksuar se, Rugova kishte vizion për Kosovën atëherë, por edhe për Kosovën tash, teksa ka cituar një thënie të tij.

“Vizioni im është të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, të integruar në Bashkimin Evropian, NATO dhe t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte thënë në një nga deklarimet e tij me bindjen e plotë se “pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet plotësisht”.

“Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit. Fytyra e shtetit është ai”, thotë ajo.

Osmani ka pohuar tutje se “shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet”.

Vlora Çitaku, Nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës

Edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kujtuar ish presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova në 16 vjetorin e vdekjes.

Çitaku ka thënë se Rugova duhet të kujtohet gjithmonë.

“Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, Kosova humbi Ibrahim Rugovën, udhëheqësi i rezistencës paqësore gjatë viteve ’90. Le të kujtohet gjithmonë”, ka shkruar Çitaku në një postim në Twitter.

Ish presidenti Ibrahim Rugova kishte ndërruar jetë më 21 janar 2006, pas një sëmundje të rëndë.

Armend Zemaj, ish Ministër i Shëndetësisë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka përkujtuar Ibrahim Rugovën në 16 vjetorin e vdekjes së tij.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Zemaj tha se Rugova është ‘udhërrëfimi jonë i vetëm’.

“Dr. Ibrahim Rugova është udhërrëfimi jonë i vetëm, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës është shtëpia jonë politike.

Lavdi jetës dhe veprës së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova”, ka shkruar Zemaj.

Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe Kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj

Edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përkujtuar presidentin Ibrahim Rugova, në 16 vjetorin e vdekjes së tij.

Përmes një postimi në Facebook, Haradianj thotë se ka përfituar shumë sepse në një fazë të shtetndërtimit të Kosovës, ka bashkëpunuar ngushtë me të.

“Urtësia dhe filozofia politike e Presidentit Ibrahim Rugova, mbeten ndër modelet më të avancuara të të bërit politikë. Unë kam përfituar shumë, sepse në një fazë të shtet ndërtimit të Kosovës kemi bashkëpunuar ngushtë. I përjetshëm kujtimi për Presidentin historik Rugova”, ka shkruar Haradinaj

Prsidnti i parë i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova

Sot janë bërë 16 vjet nga vdekja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai vdiq më 21 janar të vitit 2006, u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Funerali i Rugovës ishte njëri nga më të mëdhenjtë në historinë shqiptare. Rugova u varros 5 ditë pas vdekjes, më 26 janar.

Rugova ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar. U njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në vitet 1976-1977, ai studioi nën mbikëqyrjen e Roland Barthes në Paris, ku zhvilloi interesat e tij shkencorë në letërsi me një fokus në teorinë letrare

Ai themeloi LDK-në në vitin 1989 si një lëvizje e gjerë e cila udhëhoqi institucionet “paralele” të Kosovës në vitet 1990, pasi lideri serb Sllobodan Millosheviç kishte shfuqizuar statusin autonom të Kosovës.

Pasi Beogradi vendosi sundimin e drejtpërdrejtë, Rugova u zgjodh jo zyrtarisht si president i Kosovës për dy mandate.

Kur NATO-ja nisi sulmet ajrore në një përpjekje për ta detyruar Millosheviçin të tërhiqte forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe nga Kosova në mars 1999, policia hyri në shtëpinë e Rugovës në Prishtinë dhe e vendosi atë dhe familjen e tij në arrest shtëpie.

Pas më shumë se një muaj, Rugova dhe familja e tij u lejuan të largoheshin për në Itali. Ai u kthye në shtëpi në Kosovë pas përfundimit të luftës, në korrik 1999.

Ai u zgjodh zyrtarisht president nga parlamenti në vitin 2002 dhe u rizgjodh në vitin 2005.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore