Shqipëria

Në Kosovë e Shqipëri, ora e parë e mësimit do t’i kushtohet lidhjes së Prizrenit


Ilustrim

Në nderim të 144 vjetorit të Lidhejs Shqiptare të Prizrenit, këtë të premte, të gjitha shkollat në Kosovë dhe Shqipëri do t’ia kushtojnë orën e parë të mësimit kësaj ngjarje të rëndësishme të historisë shqiptare.

Ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook se është e lumtur që këtë vendim e kanë marrë bashkë me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi, për t’ua mundësuar nxënësve tanë në të dyja vendet, që të flasin njëkohësisht për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

“Kështu, ne po bartim së bashku te gjeneratat e reja veprën frymëzuese të intelektualëve dhe atdhetarëve të kohës dhe lavdinë e historisë shqiptare”, ka shkruar ajo.

Në Facebook, lajmin e kishte bërë publike dhe Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Evis Kushi.

“Së bashku me Ministren e Arsimit të Kosovës, znj. Arbërie Nagavci, kemi vendosur që në nder të 144-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nesër, datë 10 qershor 2022, në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës, ora e parë e mësimit do t’i kushtohet kësaj ngjarjeje madhore në historinë e kombit shqiptar, për të përcjellë tek nxënësit vlerat e rralla dhe dashurinë për shqiptarinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore