Teknologji

Në Itali, Pellegrini blen Mymenu-në


Pellegrini Group, kompania italiane e shërbimeve ushqimore, ka blerë shumicën e aksioneve të startup-it Mymenu i cili ndodhet me qendër në Milano dhe realizon shpërndarjen e ushqimeve të restoranteve dhe ofruesëve të lartë të ushqimeve për familjet italiane.

“Me blerjen e Mymenu-së, synojmë të arrijmë tregje të reja dhe klientë të rinj të targetuar, në një fushë e cila është në përparim e sipër”, ka thënë nënkryetarja e Pellegrini-t, Valentina Pellegrini.

Sipas Tech.eu, faqe kushtuar të rejave teknologjike në Evropë, Pellegrini do të lejojë Mymenu-në të veprojë në mënyrë të pavarur, mirëpo nën mbikqyrjen e tij . Nga ana tjetër, nuk janë siguruar të dhëna lidhur me kushtet e blerjes.

Nënkryetarja e kompanisë ka shtuar gjithashtu se “duam të zgjerojmë ofertën për klientët tanë, punonjësit dhe familjarët e tyre duke u kujdesur për mirëqënien e tyre edhe jashtë pune”.

Tech.eu parashikon se pas bashkimit me Pellegrini-n, Mymenu do të përfitojë qasje të menjëhershme te qindra klientë të korporatave të kompanisë dhe mund të zhvillojë produkte dhe shërbime të reja në vazhdimësi.

Përfitimet nuk do të jenë të njëkahshme. Edhe Pellegrini do të përfitojë aftësi digjitale teknike dhe një staf prej 20 personash në këmbim. Mymenu ka edhe 600 shoferë që mbështesin operacionet logjistike.

Mymenu është themeluar që në vitin 2013 nga Edoardo Tribuzio, Giovanni Cavallo dhe Lorenzo Lelli. Ajo është kompani italiane që merret me shpërndarjen e ushqimeve nga bizneset drejt konsumatorëve. Gjithashtu, merret me zgjidhjet e mirëqenies mes bizneseve.

Shërbimet e Mymenu-së janë të shpërndara në Milano, Bolonjë, Padova, Modena, Brescia dhe Verona. Ajo ka dyfishuar shitjet në vitin 2020 si rezultat i pandemisë së COVID-19.

Ndërsa, Pellegrini Group, është themeluar në vitin 1965 nga Ernesto Pellegrini dhe është ndërmarrja më e madhe italiane në kategorinë e shërbimeve të mirëqenies dhe ushqimit.

Kompania numëron rreth 10 mijë punonjës dhe ka seli në Milano, Romë dhe Mendrisio të Zvicrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore