Euro 2020

Në Grupin E, të gjithë janë në lojë


Katër përfaqësueset e fundit që do të kualifikohen në fazën e 1/8-at të finales në Kampionatin Europian “Euro 2020” mësohen të mëkurën mbrëma.

Në dy grupet e fundit, Grupi E dhe Grupi F, zhvillohen ndeshjet e fundit, të cilat përcaktojnë kush ecën tutje dhe kush e mbaron në grupe aventurën europiane.

I hapur pothuaj plotësisht për të katër përfaqësueset është Grupi E, në të cilin Spanja do të përballet me Sllovakinë dhe Polonia me Suedinë.

Spanja aktualisht pozicionohet e treta në grup me vetëm dy pikë, derisa një më shumë e ka Sllovakia në vendin e dytë.

Spanjollët disi kanë humbur ritmin e lojës që kishin dikur dhe në dy ndeshjet e para, nuk shkuan më shumë se dy barazime.

Në përballjen e parë ndaj Suedisë barazuan pa gola, ndërkaq në atë të dytën ndaj Polonisë me rezultat 1-1.

Andaj vetëm fitorja në këtë përballje, do ta kualifikonte në fazën e 1/16-ve të finales, rrjedhimisht çdo rezultat tjetër do t’i eliminonte spanjollët nga “Euro 2020”.

Sa i përket përballjeve të kaluara, këto dy kombëtare janë ballafaquar gjashtë herë mes tyre. Spanja prinë me katër fitore, kundrejt një barazimi dhe një fitoreje të Sllovakisë.

Ndeshja tjetër e këtij grupi, do të zhvillohet në stadiumin “Gazprom Arena” të Shën Përtersburgut, mes Suedisë dhe Polonisë.

Suedia është e para në grup me katër pikë, dhe tashmë ka siguruar kualifikimin tutje. Ndërsa, Polonia pozicionohet e fundit në grup me vetëm një pikë.

Suedia, në ndeshjen e parë, nxori barazim ndaj Spanjës, derisa të dytën e fitoi ndaj Sllovakisë me rezultat 1-0.

Kurse Polonia, në ndeshjen e parë ishin pak sa të pafat, duke humbur ndaj Sllovakisë me rezultat 1-2, pas një kartoni të kuq të marrë nga ana e polakëve, kurse  nw të dytën barazoi 1-1 ndaj Spanjës.

Sa i përket përballjeve të kaluara, këto dy kombëtare janë takuar tetë herë mes tyre, prej të cilave prinë bindshëm Suedia me shtatë fitore, kundrejt vetëm një të Polonisë në vitin e largët 1974.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore