Lajme

Në çfarë rasti intervenon KFOR’i në Veri? – përgjigjet Stoltenberg


Jens Stoltenberg

Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka theksuar në vazhdimësi se aleanca veri-atlantike është e gatshme në çdo moment të intervenojë në terren nëse e kërkon nevoja, por në konferencë të përbashkët për media, bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është pyetur se si mund të duket ajo situatë.

Fillimisht, Stoltenberg ka përmendur se “NATO është në Kosovë me afër 4000 trupa” numër ky që, siç tha Stoltenberg, përbën “prezencën më të madhe ushtarake jashtë territorit të NATO-së”.

“Kjo në vetvete është shenjë e paqes dhe stabilitetit që duam në Kosovë. Dhe tregon përkushtimin e aleatëve të NATO-s”.

Më pas, sekretari gjeneral, tregojë se si operon NATO në situata të tilla të tensionimit të situatës, siç ishte ajo e mbrëmjes së 31 korrikut.

“Trupat tona të trajnuar mirë, të përgatitur mirë dhe të udhëhequr mirë veç me prezencën e tyre ndihmojnë në de-eskalim të situatës dhe shmangie të dhunës”.

“Kur të duhet mund të shtojmë trupat, mund të intervenojmë. Kemi edhe patrulla të rregullta edhe në Veri”, shtoi Stoltenberg.

Por, kur krijohet situata për intervenim?

Stoltenberg nuk u lëshua në situatë hipotetike, por tregoj si procedohet në situata me tension që tejkalon normalitetin.

“Aksionet tona do të jenë proporcionale, të matura, por të qarta. Do bëjmë krejt çfarë mundemi që liria e të gjithëve sigurohet. Kemi provuar qe sa vjet çfarë NATO është e gatshme të bëjë kur duhet”.

Në një pjesë të fjalimit të tij, Stoltenberg i tha Kurtit se kjo situatë “është mundësi për Kosovën që të tregojë se është aktor i përgjegjshëm në komunitetin euro-atlantik”.

Ai kohën më të madhe të fjalimit ka përsëritur frazat për qetësim tensionesh, angazhim në dialog dhe konstruktivitet në qasje.

“Duhet të evitojmë çdo eskalim. Kërkoj nga të gjitha palët të evitojnë retorikën nxitëse. Çështja duhet të zgjidhjet përmes dialogut politik”, tha udhëheqësi i NATO-s, duke ritheksuar se “NATO vazhdon të monitorojë situatën nga afër” dhe se “Komandanti jonë është në kontakt edhe me FSK-në edhe me ushtrinë serbe”.

Stoltenberg ka përmendur edhe faktin se KFOR-i në Kosovë është nën misionin e OKB-së brenda rezolutës 1244 dhe ruan neutralitetin e tij.

“Do vazhdojmë të ofrojmë ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë. E vetmja mënyrë drejt paqes është të zgjidhen çështjet në dialog në BE”, prandaj tha se “luta të dy palët që të angazhohen” në gjendjen e zgjidhjeve në tavolinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore