Lajme

Në Argjentinë, inflacioni kaloi 100% për herë të parë në 30 vjet


Norma vjetore e inflacionit në Argjentinë arriti në nivelin më të lartë të tridhjetë viteve dhe kaloi 100 për qind për herë të parë që nga viti 1991, vendi është në nivelin e pestë për sa i përket normave të inflacionit në botë.

Lajmi është raportuar nga “Financial Times” duke iu referuar të dhënave nga agjencia shtetërore statistikore Indec.

Kështu, çmimet në Argjentinë në shkurt u rritën me 6.6 për qind gjatë muajit, dhe norma vjetore ishte 102.5 për qind.

Ky ishte ritmi më i shpejtë që kur Argjentina doli nga një krizë hiperinflacioniste në fillim të viteve 1990.

Rritja e çmimeve lidhet kryesisht me shtypjen e tepërt të parave nga banka qendrore, dhe gjithashtu e përkeqësuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Sipas bankës qendrore, gjatë tre viteve të para të mandatit të Presidentit Alberto Fernandez në detyrë, sasia e parave në qarkullim u rrit katërfish.

Argjentina tani ka një nga normat më të larta të inflacionit në botë, vetëm pas Zimbabves, Libanit, Venezuelës dhe Sirisë, të cilat gjithashtu raportuan inflacion treshifror vitin e kaluar.

Programi i qeverisë për kontrollin e çmimeve, i njohur si Precios Justos, ose “Çmimet e drejta”, ngriu përkohësisht çmimet e më shumë se 1 mijë e 700 produkteve deri në dhjetor.

Por kjo nuk mjaftoi për të frenuar rritjen e çmimeve për shkak të disbalancave serioze në ekonominë argjentinase.

Më herët gjatë ditës, FMN-ja i kërkoi Argjentinës të bëjë më shumë për të luftuar inflacionin për të zgjatur një program bashkëpunimi prej 44 miliardë dollarësh.

Argjentina do të marrë rreth 5.3 miliardë dollarë nga FMN-ja këtë muaj, në pritje të miratimit nga bordi ekzekutiv i huadhënësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore