Shqipëria

Në 4 muaj do të përfundojë Spitali i Laçit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe deputetja, Lindita Nikolla, inspektuan fillimin e punimeve në kantierin e spitalit të  Laçit.

Manastirliu pohoi se punimet kanë filluar nga data 5 shkurt.

“Që në momentin që filluan ndërtimet në këtë kantier u mor dhe një model se si duhet të jetë një spital bashkiak duke parë prirjen demografike dhe nevojën për shërbimet bazë”.

Spitali i ri do të ketë parametra bashkëkohorë. Afati i punimeve është katër muaj.

Spitali do të ketë 40 shtretër. Do të jetë një spital 24 orësh dhe do të ofrojë disa shërbime. Do të ofrohen shërbimet e emergjencës, shërbimet e patologjisë, shërbimet e pediatrisë dhe shërbimet e maternitetit. Spitali do të ketë dhe poliklinikën, ku konsultat do të përfshihen brenda një godine.

“Spitali i dikurshëm që u prek nga tërmeti i 26 nëntorit ka qenë një spital që i ofronte një popullate më të madhe shërbime, por kufizohej vetëm në një ambient. Është planifikuar  të ofrohen shërbime të integruara dhe një shërbim më cilësor për qytetarët”, shtoi Manastirliu.

Urgjenca, poliklinika, fizioterapia dhe imazheria do të pozicionohen në katin përdhes. Në katin tjetër do të pozicionohet pediatria, materniteti, administrata.

Rama tha se do të duhet të punohet 24 orë me tre turne që spitali të mund të përfundojë përpara afateve. Ky model që po ndërtohet do të jetë modeli i ardhshëm i spitaleve bashkiake.  Sipërfaqja e ndërtimit është 2 mijë e 500 metra.

Projekti i Spitalit të Laçit

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore