Lajme

Në 21-vjetorin e protestës kundër Millosheviçit, Vulin mbron të kaluarën e Serbisë


Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin duke bërë homazhe te Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç

Lëvizja Socialiste e Serbisë, në krye të së cilës është Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, përmes një deklarate është shprehur se pas protestës së madhe popullore serbe të 5 tetorit të vitit 2000 kundër “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Milllosheviçit, “Serbia është sunduar nga e keqja”.

“Puqi i 5 tetorit solli regjimin anti-serb në Serbi, të cilët bënë privatizimin dhe vjedhjen, dhe nxorën jashtë pune e në rrugë mijëra punëtorë”, deklaroi partia e Aleksandër Vulin-it.

Sipas kësaj deklarate të PS-së, parti kjo që është në koalicion qeverisës me SNS-në e Aleksandër Vuçiç, Opozita e Serbisë që mori pushtetin pas 5 tetorit “mbyllën fabrikat, i lanë të gjithë të papunë, sollën krimin, e humbën Malin e Zi, e lejuan përndjekjen e serbëve nga Kosova”.

Madje kjo parti shkroi se Kosova është “gati se e pavarur për shkak të opozitës ”.

“Atyre që ëndërrojnë dhe bëjnë thirrje për 5 tetorin, dhe sidomos 6 tetorin, u them të mos ëndërrojnë më, sepse Serbia dhe populli serb kurrë s’do ta lejojnë më veten të mashtrohen, vjedhen dhe poshtërohen”, shkruan kjo parti në një deklaratë.

Ndërkaq në rastin e 21 vjetorit të protestave të mëdha në Beograd për rrëzimin e “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç nga pushteti, ku opozita e bashkuar e përbërë nga një grup prej 18 partish, protestoi ashpër me 5 tetor në vitin 2000, Lëvizja e Social Demokratëve të Vojvodinës përmes një reagimi bëri thirrje për ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për luftërat e viteve të 90-ta në ish-Jugosllavi.

“Mbetjet e Millosheviçit dhe të Sheshelit ende shpërndajnë urrejtje sikurse në vitet e 1990-ta. Kriminel të dënuar të luftës ende bëjnë paradë në media, dhe tani edhe po dalin rrugës e po kërkojnë lirimin e vrasësve të Zoran Gjingjiç”, shkroi LSV-ja.

Sipas kësaj lëvizje politike, ata që janë përgjegjës për luftërat e përgjakshme, ende nuk kanë dhënë përgjegjësi për ato.

“Kjo është disfata më e madhe ndaj demokracisë në Serbi. Sot po jetojmë ende pasojat e asaj distafe. LSV beson ende në një Serbi evropiane dhe moderne. Ne besojmë se Serbia ka ende shans”, deklaroi Lëvizja social-demokrate.

Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës kujton se në vitin 2000, ajo bëri thirrje për lustrimin e të gjithë individëve që morën pjesë në shkatërrimin e shtetit të Serbisë dhe shkeljen e të gjitha të drejtave të qytetarëve gjatë sundimit të Millosheviçit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore