Shqipëria

Në 2016 i shpëtoi një atentati, në 2022-shin sërish – Kush është Gentjan Bejtja, ish-polici i përfshirë në vrasjen e komisar Lamajt?


Dy persona janë paraqitur mbrëmjen e 9 janarit në spitalin e “Traumës” në Tiranë, ku njëri prej tyre ishte i plagosur në pjesën e krahut.

Teksa fillimisht ngjarja ishte e paqartë, më pas u zbuluar identiteti i personit, ndaj të cilit atentati ishte orkestruar.

Gentjan Bejtja, ish-polic dhe emër i njohur për strukturat ligjzbatuese në Shqipëri, ishte shënjestër e atentatit.

Gentjan Bejtja

Në vitin 2016, ai i shpëtoi një atentati me eksploziv në makinë. Ndërsa, ngjarja për të cilën ai më së shumti mbahet mend, është ajo e vitit 2013, ku i vrarë mbeti kryekomisar Dritan Lamaj.

Asokohe, Bejtja së bashkë me Enver Stafukën, u akuzuan se patën vjedhur makinën e përdorur në vrasjen e kryekomisarit.

Në këtë sulm të radhës ndaj tij, është hapur zjarr ndaj automjetit në lëvizje, të cilin vetë Bejtja po e drejtonte. Së bashku me të në veturë, ka qenë edhe shtetasi Klodjan Stafuka.

Ky i fundit, nuk është kapur nga plumbat, por pasi makina ka dalë nga rruga dhe është përplasur, ka marrë plagë të lehta.

Bejtja ka qenë një ish-polic i burgut të Fushë-Krujës. Pikërisht pranë kësaj zone, ndodhi edhe atentati i tij, në rrugën e Nikël-it.

Nga kontrollet e ushtruara në veturën e tij, nuk janë gjetur armatime.

Pasi kanë marrë kujdesin e parë shëndetësor, të dy personat janë marrë në pyetje nga Policia. Por, detaje të tjera mbi ngjarjen, nuk janë bërë me dije.

Në vitin 2013, Bejtja, mik i afërt i Enver Stafukës, ka qenë i fundit person, i cili e takoi atë.

Enver Stafuka

Ky i fundit, në vitin 2015, ra pre e një rrëmbimi, ku autorët ishin maskuar si efektivë policie. Ndërsa, mbi fatin e tij, ende nuk dihet gjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore