Kosova

Në 14 shkurt Kosova në zgjedhje


Data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë do të jetë 14 shkurti.

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, ka dekretuar këtë datë për zhvillimin e tyre.

Kosova shkon kështu për herë të tretë brenda katër viteve në zgjedhje parlamentare.

Vendimi për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme është marrë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Kjo e fundit, cilësoi si të pavlefshme votën e ish-deputetit Etem Arifi pro Qeverisë Hoti. Vota e Arifit ishte vendimtare në formimin e qeverisë.

Tensionet në Kosovë filluan që me formimin e Qeverisë Kurti, pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 2019-ës. Kurti qëndroi vetëm 50 ditë si kryeministër i vendit.

Më pas, Lëvizja Demokratike e Kosovës, partia e dytë më e madhe, formoi një koalicion qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA, Aleancën Kosova e Re dhe pakicat kombëtare. Kryeministër u caktua Avduall Hoti.

Kjo lëvizje e LDK-së, solli një rebelim të kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, ndaj kryesisë së partisë. Pas shumë replikash në distancë, Osmani së fundmi bashkoi forcat me Vetëvendosjen e Kurtit.

Një zhvillim që tronditi skenën politike në Kosovë ishte dhe konfirmimi i aktakuzave të Gjykatës Speciale ndaj katër figurave të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte emri më i lakuar për shkak të postit të tij. Vakancën e lënë nga ai, e zuri Vjosa Osmani, në cilësinë e kryetares së Kuvendit.

Skena politike në Kosovë ka ofruar një sërë zhvillimesh me rëndësi gjatë vitit të fundit. Priten tashmë zgjedhjet e reja të 14 shkurtit.

Ajo që spikat më së shumti, është se nuk do të kemi një sërë figurash kryesore të 15 viteve të fundit në sferën politike të Kosovës./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore