Shqipëria

Ndryshon sërish çmimi i naftës


Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të martë të 1 nëntorit një ulje të lehtë të çmimeve të karburanteve.

Çmimi i naftës, referuar vendimit të fundit, ka zbritur me 4 lekë për litër dhe nga dita e sotme do të shitet me 236 lekë për litër.

Po ashtu edhe çmimi i benzinës ka pësuar rënie. Benzina do të tregtohet me 196 lekë për litër, nga 203 që ishte deri më tani.

Kurse gazi do të tregtohet me 77 lekë për litër.

Në tregun vendas karburanti vijon të jetë pranë niveleve maksimale, që arritën deri në 265 lekë për litër në muajin mars.

Kjo paçka se çmimi i naftës në Bursa është në tendencë rënieje prej disa javësh, duke zbritur në nivelet para sulmit rus në Ukrainë.

Çmimet e caktuara nga bordi do të hynë në fuqi sot dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi ka njoftuar po ashtu se është përmbajtur me përpikëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore