Shqipëria

Ndryshon ligji/ Ndjekja e leksioneve me detyrim


Ministria e Arsimit dhe Sportit në Republikën e Shqipërisë ka informuar se për të gjithë studentët e cikleve Bachelor dhe Master ndjekja e leksioneve, ashtu siç ka qenë deri më tani për seminaret, do të jetë e detyrueshme.

Ministria ka firmosur një udhëzim për “Frekuentimin e procesit mësimor, sipas llojit të veprimtarisë mësimore në auditor dhe ciklit të studimit”, në të cilin përcaktohet sasia e orëve që duhet të frekuentojë në seminare e leksione çdo student, në varësi të llojit të ciklit të studimit që ndjek.

Kështu ky ndryshim thelbësor i detyron fakultetet që të mbajnë regjistër mungesash në orët e shpjegimit, sikundër edhe në seminare dhe në fund kërkohet një total orësh prezence me qëllim për t’u futur në provim.

Në të kundërt, studentët rrezikojnë përsëritjen e vitit akademik.

Sipas udhëzimit, studentët, përpos kohës së vitit të humbur, ata paguajnë tarifë shtesë si për provimet që lënë për vjeshtë, ashtu edhe tarifë vjetore në rast të përsëritjes së të gjithë vitit.

Për studimet profesionale 2-vjeçare nevojitet së paku një pjesëmarrje në 50% të leksioneve, ndërsa për të kryer një Master Profesional duhet një pjesëmarrje në së paku 60% të orëve.

Pjesa tjetër, siç shikohet në udhëzim është 75% në të gjithë elementët e studimeve, leksione, seminare, laboratorë apo praktika profesionale/klinike.

“Programi i studimit të ciklit të tretë ‘doktoratë’ mund të përmbajë si pjesë të tij lëndë të formimit teorik deri në 30 kredite, të cilat realizohen në vitin e parë të programit. Në studimet e doktoratës ku angazhimi në kërkimin shkencor është me kohë të plotë ose të zgjatur, frekuentimi duhet të jetë jo më pak se 75%”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore