Pajisje

Ndryshimi i politikave të privatësisë te iPhone-i, sinjal i hyrjes në botën e reklamave


Ndryshimet e fundit të privatësisë te iPhone-i i Apple-it janë shenja drejt hyrjes së kompanisë në një treg reklamash në internet të dominuar nga Facebook-u dhe Google-i.

Kështu ka bërë me dije një analist i RBC Capital Markets.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se prej azhurnimit të software-it në prill, shumica e iPhone-ve i kanë lejuar përdoruesit të vendosin se cilat aplikacione mund të gjurmojnë aktivitetin e përdoruesit.

Çka përbën një informacion kyç që ndihmon kompanitë si Facebook-u të ofrojnë reklama të përshtatura për përdoruesit dhe të matin ndikimin e tyre.

Karakteristika, të cilën Apple-i e quan Transparenca e Ndjekjes së Aplikacioneve (ATT), ka shqetësuar shumë kompani të reklamave digjitale dhe lojërave celulare.

Pjesë e tyre është edhe Facebook-u, i cili ka thënë se e ka bërë më të shtrenjtë dhe të vështirë për markat të reklamojnë në platformat e tij.

“Ne i shikojmë ndryshimet e privatësisë si një shenjë që Apple-i mund të dëshirojë të konkurrojë në reklamat globale”, ka thënë analisti i RBC, Brad Erickson.

Dhe sipas të dhënave të Refinitiv, Erickson është vlerësuar me katër yje për saktësinë e vlerësimeve të tij për kompanitë e internetit dhe rekomandimet e dhëna për to.

“Apple-i mund të përdorë privatësinë e të dhënave si mbulesë teksa investon në një algoritëm kërkimi prapa skenave”, ka dalluar Erickson, duke iu referuar të ardhurave të mundshme nga reklamat nga një motor kërkimi i ngjashëm me Google-in.

Gjithashtu edhe analistët e Evercore ISI kanë vënë në dukje ambiciet e mundshme të Apple-it për reklamat digjitale.

Ata kanë pohuar se “pengimi i reklamave të palëve të treta” do t’i jepte kompanisë një fillim të suksesshëm në reklama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore