Shqipëria

Ndryshimet në PD përfundojnë në Kuvend


Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend një shkresë zyrtare ku njofton për vendimet e marra gjatë mbledhjes të anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

‘Pas vendimeve të Kryesisë së Partisë dhe këshillit Kombëtar të PD, në përputhje me statutin dhe Rregulloren e brendshme të Grupit Parlamentar, në përputhje me nenet 15 e vijues të Rregullores së Kuvendit, ju njoftojmë se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të datës 15.01.2022, kryetari i Grupit Parlamentar është zgjedhur Enkelejd Alibeaj”, shkruhet në njoftimin e PD.

Gjithashtu në shkresë janë të përmendur dhe emrat e deputetëve të përjashtuar me vendim Kryesie dhe zëvendësimi i tyre.

Më 15 janar, u propozua si nënkryetar i Kuvendit dhe i PD-së, Agron Gjekmarkaj i cili u miratua me votë.

Ndryshimet e tjera që do të propozojë kanë të bëjnë me drejtimin e komisioneve parlamentare dhe në Byronë e Kuvendit.

Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë është propozuar Grida Duma. Flutura Açka është një tjetër ndryshim i propozuar, konkretisht si kryetare e Komisionit të Arsimit.

Ndërsa, nënkryetare e Komisionit të Ligjeve është propozuar Dhurata Çupi.

Edhe për sekretariatin për Buxhetin ka pasur të propozuar emër, ku  Xhelal Mziu pritet të votohet si sekretar.

Tek sekretartiati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, anëtar është propozuar Bledion Nallbati. Dashnor Sula do të votohet tek Sekretariati për Statusin e Deputetit si sekretar.

Ndërsa, në Sekretariatin për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet është propozuar Lindita Metaliaj si anëtare.

Kryedemokrati ka bërë me dije se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar, do duhet në zbatim të rregullores që të miratojnë Sekretariatin e Këshillit Kombëtar
dhe caktimin e Departamenteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore