Lajme

“Ndrangheta” dhe zyrtarët italianë


Policia italiane arrestoi 50 persona të enjten dhe vendosi një politikan nën akuza. Kjo ka ndodhur në  kuadrin e operacionit kundër mafias kalabreze “Ndrangheta”.

‘Ndrangheta e vendosur në rajonin jugor të Kalabrisë, ka tejkaluar Cosa Nostra-n e Siçilisë, për t’u bërë kështu grupi mafioz më i fuqishëm në vend dhe një nga bandat më të mëdha të krimit në botë.

“Ky hetim e bën të qartë atë që ne kemi thënë për dekada. ‘Ndrangheta qëllon më pak dhe ka gjithnjë e më shumë lidhje me biznesin dhe politikën”, tha prokurori, Nicola Gratteri, për gazetarët.

Gratteri, është prokurori kryesor në gjyqin më të madh antimafia të Italisë në më shumë se 30 vjet.

Midis atyre që u vunë nën hetim ishte Lorenzo Cesa, kreu i partisë së vogël UDC.

Javën e kaluar ai ishte në qendër të vëmendjes pasi refuzoi sugjerimet nga kryeministri, Giuseppe Conte, për t’u bashkuar me koalicionin qeverisës.

Gratteri tha se Cesa dyshohej se kishte ofruar kontrata për ‘Ndrangheta-n në këmbim të favoreve.

Cesa, i cili është anëtar i Parlamentit Evropian që përfaqëson Italinë e Jugut, e mohoi akuzën, por tha se ai do të jepte dorëheqjen si kreu i UDC.

Nuk është e qartë nëse largimi i tij do të çonte në një rimendim brenda UDC-së mbi kërkesën e Conte-s për mbështetje.

Policia kalabreze  tha se ata kryen më shumë se 250 mijë përgjime telefonike dhe regjistrime sekrete të cilat ndihmuan të tregonin se si ‘Ndrangheta kishte përdorur një sërë kompanishë për të pastruar para dhe për të gjeneruar fatura të rreme.

Gjyqi që filloi javën e kaluar në Kalabri po heton 355 persona të dyshuar./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore