Lajme

Ndotet Liqeni i Ohrit


Sasi të mëdha mbeturinash, shishe plastike, kanaçe, qese plastike, këpucë, kartonë dhe gjëra të tjera, janë parë gjatë këtyre ditëve në Liqenin e Ohrit, në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV).

Raportohet se punëtorët e komunës deri më tani kanë mbledhur më shumë se 50 metra kub mbeturina përgjatë pjesës së shëtitores së qytetit.

Sipas autoriteteve të RMV-së shihet qartë neglizhenca dhe mos kujdesi i dorës së njeriut ndaj bukurive natyrore.

“E gjithë kjo është pasojë e qytetarëve të pandërgjegjshëm dhe vetëdijes së ulët ekologjike të qytetarëve”, deklaroi Stevço Maslov i Ndërmarrjes Publike “Ohridski Komunalec”.

Peshkatarët janë shprehur të indinjuar pasi në fund të liqenit ka shumë lloje mbeturinash. Ata përmendin vaska, kaldaja, sobë, frigoriferë, krevatë etj.

“Vdesin organizmat e gjallë, peshqit, zogjtë. Edhe ekspertët thonë se nëse vazhdojmë me këtë menaxhim të liqenit, për më pak se 10 vjet do të kemi një hidro-akumulim plot me ujë. Do të ketë zona me mungesë të oksigjenit”.

Ambientalistët thonë se shkolla duhet të fusë orë edukative të veçanta për të mësuar se si duhet të ruhet ambienti. Pra, për t’u mësuar të rinjve mënyrën e kujdesit ndaj ambientit, ku duhet të ndalohet përdorimi i copës së najlonit dhe produkteve plastike.

Komuna e Ohrit po merr masa për mundësinë e vendosjes së rrjetave përgjatë lumenjve. Në mënyrë që të parandalohet derdhja e mbetjeve të ngurta në liqen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore