Lajme

Ndjehem rehat kur dëgjoj se Kosova e Serbia kanë bërë hapa pozitive në dialog, thotë Schallenberg


Donika Gërvalla dhe Alexander Schallenberg

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, ndjehet rehat kur dëgjon se Kosova dhe Serbia kanë bërë hapa pozitive në procesin e dialogut.

Këtë koment kryediplomati austriak dha menjëherë pas takimit me homologun e tij nga Kosova, Donika Gërvallën në Mynih të Gjermanisë konkretisht në margjinat e Konferencës së Sigurisë.

Përpos kësaj, gjithë në këtë mes, sipas Schallenberg, është e rëndësishme që të dyja palët t’i zbatojnë detyrimet për të cilat u zotuan.

“Është qetësuese të dëgjosh për lëvizje pozitive në dialogun Prishtinë-Beograd, e rëndësishme që të dyja palët të zbatojnë detyrimet për të cilat u zotuan”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Twitter.

Ndryshe Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të takohen me Josep Borrell në Bruksel me 27 shkurt me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të mbështetur në Propozimin franko-gjerman (evropian).

Nëntë ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Albanian Post sërish kupton nga burime diplomatike se një pajtim për nënshkrim tashmë është dhënë nga të dyja palët.

Nëse gjithçka shkon sipas planit të rënë dakord, pas takimit të 27 shkurtit palët dalin me njoftimin se ka pajtim, edhe pse nënshkrimi zyrtar nuk bëhet atë ditë.

Kjo do ruhet për një moment tjetër, më ceremonial, dhe do marrë vëmendjen e nevojshme diplomatike e mediale të botës perëndimore.

Ekskluzive: Çfarë do të ndodhë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore