Lajme

Ndikimi rus i rrënjosur në Malin e Zi, mund të jetë i përfshirë edhe Milo Gjukanoviç


Ilustrim

Autoritetet në Mal të Zi kanë arrestuar diplomatin Radomir Sekuloviç, i cili dyshohet se për shumë vjet ka punuar në shërbim të inteligjencës ruse.

Sekuloviç u identifikua si kreu i grupit që dërgonte informacione konfidenciale nga Mali i Zi tek shërbimet sekrete në Moskë.

Ndërkaq, sipas pretendimeve të mediumit serb ‘Nova’, Sekuloviç është pjesë e një zingjiri të gjatë që mund të çojë drejtpërdrejt te presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

Pretendimin e tyre, mediumi serb e hedhë mbi faktin se kur Sekuloviç u bë pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, shef i diplomacisë malazeze ishte Milan Roçen, i cili kishte qenë mik i Gjukanoviç-it dhe kishte shërbyer edhe si këshilltar i këtij të fundit.

“Gjatë vitit 2019 u bënë publike bisedat e Roçenit me persona të ndryshëm, të regjistruara gjatë mandatit të tij në Moskë. Kur u publikuan regjistrimet, Roçen ishte këshilltar i Milo Gjukanovic-it”.

“Ishte Roçeni, si ish-ambasador i Malit të Zi në Rusi, ai që u etiketua vazhdimisht si aleat i madh i Moskës, por edhe i Milo Gjukanovicit”, shkruan ‘Nova’.

Mirëpo, Roçen ka deklaruar se nuk ka qenë në pozitën e shefit të diplomacisë kur në MPJ-në malazeze erdhi diplomati Sekuloviç.

“Sekuloviç nuk u pranua në Ministrinë e Punëve të Jashtme kur unë isha ministër”, ka thënë ai, transmeton ‘Vijesti’.

Prokuroria Speciale e Shtetit, në koordinim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare kanë nisur një aksion në të cilin është arrestuar Radomir Sekuloviç, i dyshuar për shërbim ndaj inteligjencës ruse dhe se ka qenë kreu i një grupi që dërgonte informacione konfidenciale në Moskë.

Kodi Penal i Malit të Zi parasheh dënimin me burg nga tre deri në 15 vjet për veprën penale të spiunazhit, si dhe për një vepër tjetër penale, atë të krijimit të organizatës kriminale.

Sipas informacioneve të “Vijesti-t”, grupi që punonte për shërbimin inteligjent rus dyshohet se përbëhet nga 20 anëtarë, ku Sekuloviç ishte drejtor i këtij rrjeti kriminal.

Ai para se të bëhej diplomat ishte gazetar i mediumit serb ‘Tanjug’ në Londër dhe në atë kohë kishte propaganduar publikisht pikëpamjet e Partisë Radikale Serbe dhe liderit të saj Vojislav Sheshel.

Ndryshe, MPJ-ja malazeze, të enjten e 29 shtatorit ka shpallur gjashtë diplomatë rusë persona non-grata.

Sipas njoftimit të MPJ-së në rrjetin social Twitter, kjo është bërë për shkak të aktiviteteve që bien ndesh me Konventën e Vjenës, e cila përcakton një kornizë për marrëdhëniet diplomatike midis vendeve të pavarura.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka shpallur persona non-grata 6 diplomatë të Ambasadës së Federatës Ruse të akredituar në Mal të Zi, për shkak të veprimtarisë së tyre në kundërshtim me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe marrëdhëniet e vlerësimit dhe respektit të ndërsjellë mes dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Dy shtetas malazezë, gjashtë punonjës të ambasadës ruse dhe disa shtetas rusë janë nën hetim nën dyshimin se punonin për shërbimin inteligjent rus.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore