Lajme

Ndihmës-sekretarja Amerikane e Shtetit bisedon me Vuçiç’in – temë ishte Kosova


Karen Donfried

Presidenca serbe ka njoftuar se Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar këtë të premte bisedë me Ndihmës Sekretaren e Shtetit Amerikan për Evropë dhe Euroazi, Karen Donfried, dhe temë e diskutimit ka qenë Kosova.

Presidenti serb, sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e tij, “ka prezantuar pozicionet e njohura dhe parimore të Serbisë”.

Komunikata vazhdon me konstatime se “në bisedë u theksua që përparimi i rajonit qëndron në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe se ky është prioriteti i veprimit në Ballkanin Perëndimor”.

Gjithsesi, mediat në Serbi raportojnë se amerikanja e ka qortuar Vuçiç-in, duke e “kundërshtuar fuqishëm nënshkrimin e Planit të Konsultimeve të Ministrive të Jashtme dhe Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë”.

Më pas, sipas raportimeve nga mediat atje, Vuçiç i ka thënë Donfried se “Serbia respekton integritetin territorial të të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Ukrainën, ndërsa ai parim nuk respektohet kur bëhet fjalë për integritetin territorial të Serbisë”.

Aleksander Vucic

Serbia ditë më parë sa delegacioni serb qëndronte në New York në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi dy vjeçar me shtetin e Rusisë.

Memorandumi parasheh që të ketë dakordim dhe para-planifikim të dy shteteve në strategjitë e tyre në politikën e jashtme.

Serbia është kritikuar ashpër edhe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian për këtë marrëveshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore