Pajisje

Ndihma e dronëve për të ripyllëzuar tokat e djegura nga zjarret


Nëntorin e kaluar, dronët kanë fluturuar mbi një peizazh të djegur nga zjarri në British Columbia, duke hedhur mijëra fara pemësh në tokën e nxirë.

Fluturimet ishin pjesë e një prove eksperimentale për të riprodhuar pyjet që humbën nga sezoni shkatërrues i zjarrit të vitit 2017.

Njerëzit në zonë, me dronët në anën e tyre, shpresojnë se ripyllëzimi mund të ecë më shpejt, veçanërisht pasi zjarret vazhdojnë të përkeqësohen.

Viti 2017 ka qenë një nga sezonet më të këqija të zjarreve të regjistruara në British Columbia.

Gati 800 mijë hektarë u zhytën në tym, duke marrë me vete shtëpi, makina dhe pemë.

Për banorët vendas dhe komunitetet në zonë, e gjitha ishte thjesht shkatërruese.

Asokohe, 20 zjarre të ndryshme u bashkuan për të formuar Kompleksin Plateau.

Teksa zjarret në pyje janë një rrezik natyror që kanë ndodhur për mijëvjeçarë, ndryshimet klimatike dhe aktiviteti njerëzor kanë rritur prevalencën e zjarreve në dekadat e fundit.

“Shumë nga këto zona ku ka pasur zjarre, disa janë djegur aq shumë sa nuk ka rigjenerim të fidanëve”, ka treguar një drejtues i administrimit të tokave në vend, Percy Guichon.

Pemët mund të rigjenerohen në kushte natyrore, por kur djegia është e thellë duket se nuk ka asnjë mënyrë që farat të mbijetojnë dhe pemët të rriten natyrshëm në tokat e djegura.

Për të ndihmuar në rindërtimin e pyjeve, komunitetet po kthehen në alternativa teknologjike, duke përfshirë dronët.

“Thjesht donim të gjenim një metodë tjetër mbjelljeje, që do të plotësonte metodat aktuale tradicionale të mbjelljes, duke përdorur mbjellësit e pemëve”, ka treguar Guichon.

Mbjellja manuale e pemëve bëhet në grupe dhe është punë e vështirë.

Individët mbajnë një lopatë me dorezë të gjatë dhe një thes prej 40 kilogramësh, me pemë foshnjore dhe në mënyrë alternative hedhin dheun dhe nisin mbjelljen.

Shpesh, procesi fillon në mëngjes herët, kur toka është e lagësht. Duke ndjekur udhëzimet strikte të cilësisë dhe densitetit, mbjellja me dorë e pemëve mund të japë nga një mijë deri në tre mijë pemë në ditë.

Dronët kanë një qasje të ndryshme.

Për programin pilot, grupi i Guichon-it dhe entiteti raportues i qeverisë Forest Enhancement Society of British Columbia, kanë blerë fara bredhi dhe pishe nga një çerdhe në Kaliforni, të cilat i kanë dërguar te DroneSeed, një startup agroteknologjie me bazë në Seattle.

“Ata i vendosin farat në enën e vogël, e cila përmban një përzierje toke dhe lëndësh ushqyese për t’u dhënë farave mundësinë më të mirë të mbirjes”, ka sqaruar Guichon.

Në raundin e parë të mbjelljes me dron, rreth 10 mijë enë hidhen për hektar, rreth 52 hektarë në total.

Sakaq, ekipi planifikon të vazhdojë të monitorojë rritjen e pishave dhe bredhave që u mbollën në pranverë dhe verë për të parë nëse farat do të mbijnë.

Shpresa është që gjysmë milioni fidanë të mbjella me dron ta ndihmojnë pyllin e djegur të rimëkëmbet më shpejt.

“Nëse është një kilometër nga pema më e afërt e gjallë, do të duhet një kohë e gjatë para se fara të arrijë atje dhe kështu, njerëzit mund të ndërhyjnë, duke përfshirë teknologjinë e dronëve, për të përshpejtuar rikuperimin afatgjatë të zonë”, ka thënë profesori John Bailey.

Teksa nuk ka gjasa që mbjellja me dron të zëvendësojë plotësisht mbjelljen manuale, teknologjia po bëhet gjithnjë e më e popullarizuar në rajonet e prekura nga zjarret.

Ka pasur përpjekje shtesë për rimbjellje në British Columbia, shtetin e Washington-it dhe zona të tjera të Paqësorit Veriperëndimor.

Shumë nga përpjekjet përfshijnë punën me pylltarët, qeveritë lokale dhe pronarët e tokave që janë prekur nga zjarret.

Kur bëhet fjalë për mbjelljen me dron, studimet e sipërfaqes së tokës janë më të lehta për t’u kryer dhe dronët mund të arrijnë vendet ku mbjellja manuale paraqet vështirësi.

Sipas Bailey, ka gjëra kyçe që duhen marrë parasysh kur përdoren dronët për të riprodhuar pyjet.

Disa zona në veçanti mund të mos jenë mikpritëse për tufat me fara.

Rezultatet e provës në British Columbia do të vijnë gjatë vitit të ardhshëm dhe shpresohet se do të japin disa gjetje pozitive.

Të dhënat nga këto teste do të përdoren për të formuar të ardhmen e sondazheve të mbjelljes së dronëve, teknikave të hedhjes së enës dhe projekteve të ripyllëzimit.

Edhe nëse farat e shpërndara nga drone nuk arrijnë të zënë rrënjë, ka ende shpresë se pylli do të kthehet. Thjesht mund të marrë një kohë shumë të gjatë.

“Ato zona do të jenë përsëri pyll, por mund të duhen vetëm qindra vjet”, ka thënë Bailey.

Marrë nga “The Verge”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore