Përballje

Ndeshjet e javës së 27-të në Superligën e Kosovës, Prishtina futet në garë për titull


Java e 27-të në Superligën e Kosovë në futboll solli duele mjaftë interesante, ku pa dyshim ndeshja kryesore ishte ajo në mes Ballkanit dhe Prishtinës.

Prishtina arriti të triumfojë si mysafire përballë Ballkanit me rezultat minimal 0:1, falë autogolit të shënuar nga futbollisti i Ballkanit, Amend Thaqi.

Kështu kryeqytetasit, me këtë fitore arrijnë në kuotën e 54 pikëve, katër më pak se lideri aktual, Drita, ndërkohë që Ballkani me këtë humbje mbetet në pozitën e dytë në tabelë me 55 pikë.

Në anën tjetër, kampioni aktual i Kosovës, Drita ka shënuar fitore në udhëtim, duke e mposhtur Arbërinë, me rezultat 3:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Arbëria kaloi e para në epërsi me golin e Dion Zabërgjës në minutën e 23-të, megjithatë, gjilanasit reaguan shpejt dhe arritën që brenda pjesës së parë ta përmbysin rezultatin me golat e Festim Alidemës, në minutën e 27-të dhe futbollistit nigerian Priesleyt, në minutën e 33-të.

Ndërkohë, rezultatin përfundimtar 1:3, e vulosi Betim Haxhimusa në minutën e 63-të.

Me këtë fitore Drita, mban pozitën e parë me 58 pikë, tre më shumë se Ballkani dhe katër më shumë se Prishtina.

Në ndeshjen tjetër, Drenica shënoi fitore shumë të rëndësishme përballë Trepçës’89, me shifrat 2:0, teksa golat për kuqezinjtë e Skenderajt i shënuan Baton Zabërgja dhe Donald Rapo.

Pas kësaj fitoreje Drenica mban vendin e tetë me 30 pikë, derisa Trepça’89 mbetet në pozitën e gjashtë, me dy pikë më shumë.

Ndeshja tjetër në mes të Feronikelit dhe Llapit, përfundoi me një poker golash nga skuadra vendase.

Feronikeli shënoi fitore të thellë në shtëpi ndaj Llapit me rezultat 4:0.

Autorë të golave për Feronikelin ishin Marko Milickovic me dy rrjeta, Marko Simonovski dhe Albert Dabiqaj me nga një tjetër.

Skuadra e Klodian Duros zhvendoset në pozitën e pestë të klasifikimit me 34 pikë, duke e lënë prapa Llapin që ka 33 sosh.

Java e 27-të në Superligën e Kosovës, do të mbyllet të hënën me ndeshjen Gjilani – Besa, duel ky i cili do të zhvillohet me fillim nga ora 15:00.

Skuadra e Gjilanit që është jashtë garës për titull dhe jashtë Kupës së Kosovës, po kërkon që të sigurojë vendin e katërt në tabelë, të cilët aktualisht kanë 37 pikë.

Në anën tjetër ekipi nga Peja, Besa, befasoi me fitoren e fundit të arritur përballë Feronikelit, mirëpo ata kanë pak gjasa që të mbeten në Superligë, pasi që pozicionohen në vendin e fundit me vetëm 10 pikë të grumbulluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore