Euro 2020

Ndeshjet e fundit në grupe, cilat do të jenë të kualifikuarat e fundit?


Ditën e mërkurë do të ketë katër ndeshje në Euro 2020. Dy takime do të luhen në Grupin E dhe dy të tjera në Grupin F.

Janë tetë skuadra, të cilat presin të mësojnë nëse emri i tyre do të jetë mes të kualifikuarave.

Dy përballjet e para të së mërkurës do të jenë ato në Grupin E. Sllovakia do të ketë përballë Spanjën në Sevilja, ndërsa Suedia do të përballet me Poloninë në Shën Petersburg. Ndeshjet e këtij grupi do të luhen në orën 18:00.

Grupi E kryesohet nga Suedia me katër pikë, Sllovakia me tri pikë, Spanja me dy pikë dhe Polonia me një pikë.

Nga ky grup, vetëm Suedia është e kualifikuar momentalisht, pasi me katër pikë, edhe po të përfundojë në vend të tretë, kalon përmes vendeve të treta më të mira.

Sllovakisë i duhet një pikë për të kaluar më tej, ndërsa Spanja dhe Polonia duhet të fitojnë.

Ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Euro 2020 do të luhen në Grupin F. Gjithçka mbetet e hapur edhe në këtë grup.

Franca kryeson grupin me katër pikë dhe është e kualifikuar, si në rastin e Suedisë. Gjermania renditet e dyta me tri pikë, po aq sa edhe Portugalia e vendit të tretë dhe Hungaria është në vend të fundit me një pikë.

Përballjet në këtë grup do të luhen duke filluar nga ora 21:00. Portugalia do të ketë përballë Francën në Budapest, ndërsa Gjermania do të ndeshet me Hungarinë.

Për sa i përket renditjes së skuadrave, mbetet një garë e hapur deri në fund, por Portugalisë dhe Gjermanisë do t’i mjaftonte edhe një barazim për të kaluar më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore