Para se të merrte pushtetin, Lëvizja Vetëvendosje, ishte zotuar se do të krijonte vende të mjaftueshme për fëmijët duke i ndërtuar 160 çerdhe në Kosovë.
Por, tani që kanë kaluar 3 vjet e gjysmë prej kur ekzekutivi është duke udhëhequr vendin, numri i çerdheve të finalizuara nuk është aspak afër premtimit.
Në një konferencë për media më 17 maj të këtij viti, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pati deklaruar se deri në atë periudhë ishin 9 çerdhe të përfunduara, 35 ishin në proces e katër në prokurim.
Por, Albanian Post gjatë kërkimit në internet ka gjetur vetëm çerdhet e përuruara në Prizren, Gjilan, dhe në Viti. Pra, vetëm tri.
Sipas njoftimeve publike, çerdhet kanë nisur të ndërtohen në Gjakovë, Prishtinë, Gjilan, Miresh të Gjilanit, Dobërçan të Gjilanit, Shtime, Fushë Kosovë dhe Obiliq, Podujevë, Batllavë të Podujevës, Deçan dhe dy në Prizren, por, të përfunduara nuk figurojnë asnjë pos tri të përmendurave.
Kur janë pyetur nga Albanian Post, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka kumtuar se gjithsej janë ndërtuar 44 çerdhe.
“Deri më tani janë 44 (çerdhe të përfunduara, shkolla të adaptuara në çerdhe si dhe në proces të ndërtimit) ndërkaq, 4 janë në proces të tenderimit. Në mënyrë që MASHTI të përmbush planifikimin, jemi në pritje të komunave për ndarjen e lokacioneve të përshtatshme për ndërtimin e çerdheve”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Por, AP përsëri ka dërguar pyetje në Ministri duke kërkuar sqarime konkrete se sa çerdhe janë ndërtuar e sa janë në proces, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk është kthyer një përgjigje.
Ata kanë thënë se “me të marrë mandatin kemi ndarë buxhetin e mjaftueshëm për ndërtimin e çerdheve si dhe kemi bërë një analizë të fizibilitetit për nevojat e ndërtimit të çerdheve”, por çerdhet nuk duken gjëkundi.
Sipas tyre, çdo kërkesë e komunave është trajtuar në kohë dhe të gjitha kanë marr përgjigje.
Nga MASHTI potencuan se ndërtimi i këtyre objekteve arsimore nuk mund të bëhet pa një kërkesë nga komunat.
“Deri më tani nga komunat kemi pranuar vetëm 25 propozime të lokacioneve. Një pjesë e madhe e këtyre lokacioneve kanë probleme pronësore, probleme të terrenit të papërshtatshëm për ndërtim, probleme me madhësinë e sipërfaqeve të parcelave etj”, shtuan ata.
“Përkundër qe janë planifikuar afër 40 çerdhe për ndërtim dhe adaptim në këtë vit, nga Komunat deri më sot kemi pranuar vetëm 6 leje për fillimin e procedurave të tenderimit ndërsa kemi edhe disa kërkesa të pakompletuara”.
Deputetja në Lidhjen Demokratike të Kosovës, (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se shumë premtime të ekzekutivit nuk kanë gjetur zbatim, duke përfshirë edhe këtë të çerdheve.
“Zero për qind është realizuar premtimi, ne jemi dëshmitarë të kohës se sa premtimin e ka bërë zoti Kurti për çerdhe edhe për shumë procese tjera dhe tani absolutisht nuk janë të realizueshme as çereku i premtimeve të tij”, ka thënë ajo.
Sipas saj, qytetarët do të dinë si të veprojnë në zgjedhjet e radhës ngase e kanë kuptuar se si funksionon kjo Qeveri.
“Kjo është një kauzë e rrejshme edhe çerdhet edhe çiftet që do të kenë banime të veçanta. Prandaj, qytetarët i kanë kuptuar këto premtime të zotit Kurti dhe besoj që tani veç po afrohen zgjedhjet dhe besoj që s’kanë me dhënë mundësinë të mashtrohen dy herë apo dy mandate”, ka shtuar ajo.
Nevoja për shtimin e këtyre hapësirave publike konsiderohet se është e madhe.
“Çiftet e reja nuk po kanë çerdhe të mjaftueshme ku me i çu fëmijët, normalisht duhet të kujdeset dikush për fëmijët e tyre, kur ata janë në orar të punës. Zoti Kurti ka premtuar ndërtimin e 160 çerdheve dhe s’di a e ka ndërtuar një çerdhe kështu ta përfundojë”, tha deputetja.
Ajo ka përmendur dy dështimet më të mëdha të ekzekutivit të cilat tha se i përdorën për të ardhur në pushtet.
“Dështimi më i madh i kësaj qeverie është korrupsioni dhe nepotizmi, ku me këto dy kauza të rrejshme i ka fituar zgjedhjet jashtëzakonisht ka marr përkrahje të madhe nga qytetarët kundër këtyre dy dukurive dhe tani këto dy dukuri po lulëzojnë, po lulëzon, nepotizmi dhe po lulëzon korrupsioni në Qeverinë Kurti”, tha për AP.
“Dhe në këtë rast votën e qytetarëve e ka marr duke mashtruar edhe për çerdhet edhe kundër korrupsionit edhe që do të vejnë ligj dhe rend në Republikën tonë a për çdo ditë po arratisen të burgosurit”, ka shtuar për AP.
Edhe Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se kjo parti ka ardhur në pushtet jo vetëm me premtimin për ndërtimin 160 çerdheve, por me shumë të tjera.
“Lirimin e çmimit të energjisë, premtimin që buka, vaji, sheqeri me qeverisjen e tyre do të kushtoj më lirë, kanë premtuar sigurime shëndetësore, arsim, drejtësi, punësim, kthim të trurit, ndërtimin e 160 çerdheve, 4000 banesave për të rinjtë, ndërtimin e 5 shtëpive për të moshuarit, ndërtim të rrugëve, urave, tuneleve e magjistraleve, integrime euroatlantike dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, POR krejt çka ka ndodhë këtë tri vjet e gjysmë të mandatit të tyre është e kundërta, fiks e kundërta”.
“Çerdhet nuk janë ndërtuar, as shtëpitë për të moshuarit, as banesat, çmimi i rrymës është dyfishuar, njëjtë si çmimet e artikujve ushqimor, deri më sot nuk është përfunduar asnjë projekt infrastrukturor, as ato që në fillim të mandatit të tyre kanë qenë në gjysmë, ka ikje masive të fuqisë punëtore, është shkelë Kushtetuta plot 10 herë – për çfarë drejtësie mund të flasim këtu?”.
“Ndërsa arsimi po rrënohet, nuk ka integrime euroatlantike – që 13 muaj jemi në masa ndëshkuese të BE-së, asnjë njohje, asnjë anëtarësim, ka korrupsion dhe nepotizëm me bollëk. Këto janë fakte, kjo është gjendja socio-ekonomike dhe politike në vendin tonë nën qeverisjen e Kurtit.
Ndërkaq, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, për Albanian Post, tha se numri i fëmijëve të përfshirë në arsimin parashkollor është i vogël, pikërisht për faktin se ka mungesë të institucioneve arsimore.
“Kosova ka një përfshirje minimale të fëmijëve në parashkollorë e cila është ekskluzivisht e ndërlidhur me mungesë të hapësirave shkollore, përjashto kryeqytetin, në çdo qytet tjetër, dhe në veçanti në zonat rurale, përfshirja është jo signifikante”, ka thënë ai për Albanian Post.
“Mungesa e çeljes së çerdheve dhe kopshteve te reja padyshim që do ta thellojë tutje këtë mos përfshirje – rikujtoj, që përfshirja e rritur e nxënësve ne edukimin e hershëm jo vetëm që është pjese e strategjisë se arsimit, por është objektivë e agjendës evropiane për Kosovën”.
Meqë, objektet e reja po mungojnë, Qehaja propozon që hapësirat e zbrazëta të kthehen në shfrytëzim.
“Përtej investimeve kapitale ne ndërtim të çerdheve dhe kopshteve të reja, unë rikujtoj shumë hapësira shkollore të boshatisura gjithandej të cilat më shumë lehtësi mund të ri destinohen si institucione parashkollore. Nevojitet analizë, vullnet dhe përkushtim për të nxitur për përfshirje – jo gjithçka është e kufizuar në ndërtim të objekteve të reja”, ka shtuar ai për AP.
Sipas të dhënave të MASHTI-it, çerdhe publike në Kosovë janë gjithsej 49 dhe në proces të themelimit janë edhe tri të tjera.
Ky nuk është premtimi i vetëm i pambajtur i ekzekutivit.
Albanian Post ka raportuar edhe për zotimin për ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit, ku asnjë themel nuk është hedhur për asnjërën nga këto shtëpi.
Pastaj, premtimi tjetër që nuk është aspak afër realizimit është pesëfishimi i inspektorëve të punës.
Edhe zotimi tjetër që rezulton se nuk është përmbushur është rritja e numrit të qendrave dhe shërbimeve të shëndetit mendor e përmirësimi teknik i qendrave ekzistuese.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Vukoviç: Forcimi i shtetësisë së Kosovës tërboi nacionalistët në Serbi, prandaj u shpërdorua potenciali i normalizimit
-
Osmani: Do të ishte më mirë që Martin Berishaj të largohej nga pozita derisa drejtësia ta japë fjalën e fundit
-
Osmani thotë se Kurti e Gërvalla e prishën “dasmën” në prag të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin të Evropës
-
Osmani: Jemi njoftuar se disa shtete kanë kërkuar të mos hiqen masat ndaj Kosovës
Lajmet kryesore
-
‘Kultura e Hakmarrjes’: Pandëshkueshmëria dhe mungesa e besimit po çojnë në vetëgjyqësi
-
Nis viti i ri shkollor, paketë dhe plan masash për sigurinë e nxënësve
-
Bazat, depot, aeroportet: Objektivat e Kievit në Rusi
-
Osmani: Do të ishte më mirë që Martin Berishaj të largohej nga pozita derisa drejtësia ta japë fjalën e fundit