Vende

Ndërthurja e historisë dhe natyrës në Lezhë


Lezha është një vend që të ofron, bukuri natyrore, histori dhe ushqim. Qyteti bie në sy nga kalaja. Fortesa u ngrit mbi themelet e Akropolit antik rreth shekullit të VIII-të. Kalaja ka njohur shumë faza ndërtimi për shkak të pushtimeve të vazhdueshme të kësaj pjese të vendit.

Fortesa me një pozicion dominant dallohet për konstruksionin me shumë porta hyrëse, të cilat mbroheshin nga ndërtime paraprake. Lissusi është emri i hershëm i kësaj treve që pasurohet me muret fortifikuese që zbresin në kodrinë të cilat dikur lidhnin fortesën me portin e qytetit.

Ushqimi është një nga arsyet e forta përse Lezha është vendosur në qendër të vëmendjes së turistëve vitet e fundit!

Kuzhinë tradicionale e ardhur me prekje moderne, përmes disa prej emrave më të suksesshëm të gastronomisë shqiptare. Një drekë në natyrë me pamje të gjerë mbi luginat plot ngjyra, e gjeni tek “Mrizi i Zanave”.

Është agroturizmi më i njohur në Shqipëri, me plot turistë që vijnë nga jashtë vendit vetëm për të provuar gatimet autentike. Për “Mrizin” mund të jetë thënë e shkruar shumë, e megjithatë çdo herë këtu të duket sikur është hera e parë.

Lezha shquhet si një ndalesë historike e detyrueshme për të kuptuar më mirë historinë e shqiptarëve dhe rrënjët e Shqipërisë. Memoriali i vendvarrimit të Skënderbeut është ndërtuar mbi kishën e Shën Kollit, aty ku në vitin 1468 u varros Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Jo larg shumë memorialit të Skënderbeut ndodhet Obelisku i Besëlidhjes në Lezhë, një tjetër monument i lidhur pazgjidhshmërisht me heroin kombëtar. Obelisku është ngritur në kujtim të 2-Marsit 1444, ditën kur në Lezhë u mblodhën prijësit e familjeve më të madhe shqiptare për t’u bashkuar kundër perandorisë osmane.

Sa i përket bukurisë natyrore “rana e hedhun” në Shëngjin  dhe deti është  një mrekulli për turistët.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore