Muzikë

Ndërron jetë solo kitaristi i grupit “Purgatory”, Valton Berisha (VIDEO)


Ka vdekur sot, solo kitaristi i njohur Valton Berisha, i cili ishte anëtar i grupit “Purgatory”.

“Purgatory” ka qenë ndër grupet e para të cilët me anë të muzikës së tyre, kanë bërë revolucionin e kohës në vitet e 90-ta.

Veprimtaria e grupit nisi që nga viti 1992, dhe ata ishin të njohur “si djemtë e guximshëm” të cilët po sillnin ndryshme në rininë shqiptare.

Grupi përbëhej nga Enis Potoku si vokalist, Valton Berisha si solo kitarist, Valon Gashi kitarist, Visar Rexha baterist si dhe Faton Lahaj në funksionin e bas kitaristit.

Rock bendi “Purgatory” bëri senzacion më paraqitjet e tyre skenike dhe tekstet me përmbajtje eksplicite, duke thyer tabutë e kohës së një gjenerate të shtypur dhe të izoluar.

Fatkeqësisht, pas një kohe, të gjithë anëtarët e grupit ikën drejt diasporës, duke e lënë pas një histori suksesi e cila me kalimin e kohës thuajse u shua.

Por, ishte pikërisht Valton Berisha, ai i cili me iniciativën e tij e mblodhi grupin, duke e rikthyer përsëri në skenë.

Ndryshe, disa nga hitet e tyre me të pëlqyera të asaj kohë kanë qenë; “Largësia”, “Jakup Ferri”, “Do t´i lutem qiellit”, “Shqiponjat” e “No Place for me in Heaven”.

“Retë e zeza” ka qenë projekti i fundit muzikor i publikuar nga “Purgatory”, ndërsa Albanian Post ju sjell ekskluzivisht disa nga prapaskenat e këtij klipi, pamje të pa para më parë.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore